Dramë, pasiguri dhe pritje për 120 minuta. Më pas penallti që të lënë pa frymë, e në fund eufori dhe festë. Fillimisht Maqedonia në vitin 2022, e tani Bosnja dhe Hercegovina e eliminoi Italinë në rrugën drejt Botërorit. Sukses historik për boshnjakët, të cilët pas vitit 2014 në Brazil, për herë të dytë në historinë e pavarësisë së tyre do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror.
“Nuk mund ta përshkruaj sa shumë do të thotë kjo për mua. Jam plotësisht në delir…”
“Ky është një moment historik për Bosnjën dhe Hercegovinën, një moment që do ta kujtojmë sa të jemi gjallë.”
Derisa në rrugët e Sarajevës dhe qyteteve të tjera të Bosnjës festohej, në Itali mbizotëronte mosbesimi. Italianët nuk arrijnë ta kuptojnë se si është e mundur që përfaqësuesja e tyre, disa herë kampione bote, sërish nuk do të jetë pjesë e këtij kompeticioni.
“E fituam Kampionatin Evropian në vitin 2021, kështu që nuk jemi aq të këqij, por duket se nuk jemi gati për ndeshjet e mëdha. Nuk jemi gati kur është më e rëndësishme. Nuk jemi gati kur duhet të japësh më shumë. Nuk jemi gati kur ka presion.”
“Të mos shkojmë në Botëror tri herë radhazi – Suedia, Maqedonia, tani Bosnja dhe Hercegovina… çfarë tjetër të them…”
Italia për herë të fundit mori pjesë në një Kampionat Botëror në vitin 2014 në Brazil. Në vitin 2018 në Rusi nuk u kualifikua pas eliminimit nga Suedia. Në vitin 2022 në Katar po ashtu mungoi, pasi u eliminua nga Maqedonia në gjysmëfinalen e plejofit, ndërsa tani nuk do të jetë pjesë as e Botërorit që këtë vit do të zhvillohet në SHBA dhe Meksikë.
