Së pari konsultime me partitë, pastaj mandati, Pendarovski pret që të konstituohet Kuvendi, e më pas ta emërojë mandatarin

TË FUNDIT

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski nuk do të “luaj” me mandatin, prandaj së pari do të zhvillojë konsultime me partitë, e më pas do t’ia dorëzojë mandatin partisë e cila ka shumicë në Kuvend.


“Presidenti Stevo Pendarovski do të zhvillojë konsultime me partitë politike para se ta dorëzojë mandatin. Konsultimet do të mbahen pas konstituimit të Kuvendit”, tha Presidenti i vendit Stevo Pendarovski.

Sipas Kushtetutës, afati i fundit për formim të Parlamentit është 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve, kurse mandatari brenda 20 ditëve nga dita e marrjes së mandatit, në Kuvend duhet ta paraqesë programin dhe ta propozojë përbërjen e Qeverisë së re.


“Sipas dispozitave kushtetuese, mandati për përbërjen e Qeverisë do t’i dorëzohet kandidatit të partisë, respektivisht partive të cilat do të sigurojnë shumicë në Kuvend”, u shpreh Stevo Pendarovski.

Në rast se mandatari nuk arrin ta formojë Qeverinë, ai duhet ta kthejë mandatin, por në Kushtetutën e Maqedonisë nuk ka dispozitë të qartë – çka ndodh nëse mandatari nuk e formon qeverinë brenda afatit të paraparë?

 “I tillë ishte rasti në zgjedhjet e vitit 2016, kur VMRO-DPMNE-ja si parti e cila fitoi më shumë deputetë, e mori mandatin për formim të Qeverisë së re, por pasi bisedimet ndërpartiake dështuan, mandatari i atëhershëm, Nikolla Gruevski, e ktheu mandatin tek Presidenti, i cili pastaj ia besoi liderit të atëhershëm të opozitës, Zoran Zaev, njëkohësisht duke kërkuar të nënshkruajë garanci se nuk do ta rrezikojë unitaritetin e shtetit, si dhe nënshkrime nga të gjithë deputetët që dhanë mbështetjen e tyre për Qeverinë e Zaevit”, Jovica Paunoski, gazetar.

Praktika e deritanishme ka qenë që mandati gjithmonë t’i jepet partisë e cila ka fituar më shumë deputetë, por nëse nuk arrin ta formojë Qeverinë, atëherë mandati shkon në duart e partisë së dytë me më shumë mandate. Afati i fundit për formimin e Qeverisë është 20 ditë pas zgjedhjeve, që i bie 5 gusht. Nuk dihet çka do të ndodhë në periudhën që vijon, ka negociata të vështira dhe pazare të gjata mes partive, veçanërisht për shkak se rezultatet janë shumë të ngushta.
Sipas rezultateve fillestare që i publikoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, koalicioni “Mundemi”, i udhëhequr nga LSDM-ja, ka fituar 46 deputetë, koalicioni i VMRO-DPMNE-së – 44, BDI-ja – 15, Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa – 12, E Majta – 2, kurse PDSH-ja siguroi vetëm një mandat.