Sasoli: Marrëdhëniet mes BE-së dhe Rusisë sot janë në nivelin më të ulët

TË FUNDIT

Kryetari i Parlamentit Evropian, David Sasoli, sot deklaroi se marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë janë në nivelin më të ulët dhe se tensionet e tanishme mes Ukrainës dhe Rusisë “nuk inspirojnë shpresë” se kjo së shpejti do të ndryshojë.

Sasoli sot e hapi mbledhjen plenare të Parlamentit evropian (PE), që këtë javë mbahet në Strasburg, me theks në 30-vjetorin e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

“Shpërbërja e Bashkimit sovjetik e përfundoi periudhën e Luftës së Ftohtë, ndërkaq shumë ish-republika sovjetike tani janë anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Sasoli dhe shtoi se vendeve në kalimin drejt demokracisë u nevojitet kohë, por edhe ndryshim i mentalitetit.

“Është shumë vështirë të ndërtohet demokracia, por është lehtë të humbet nëse nuk kujdesemi për të. Demokracia bazohet në besimin e qytetarëve në institucionet që duhet të ripërtërihen çdo ditë”, tha Sasoli, duke menduar në marrëdhëniet mes Unionit dhe Rusisë.

“Marrëdhëniet e BE-së me Rusinë sot janë në nivelin më të ulët”, tha Sasoli, ndërsa kriza në Evropën Lindore “nuk jep shpresë” se kjo do të ndryshojë në një kohë të shkurtë.

Ukraina e akuzon Rusinë se po grumbullon dhjetëra mijë ushtarë përgjatë kufirit të tyre të përbashkët dhe po përgatitet për luftë. Rusia e mohon këtë dhe i akuzon Ukrainën dhe NATO-n për sjellje destabilizuese dhe kërkon garanca sigurie për mbrojtjen e vet.