Nëse vazhdon kështu, greva në arsim të hënën hy në javën e tretë. Këshilli i SASHK-ut aspak nuk është i kënaqur me 10% e rritjes së pagës që u ka ofruar Qeveria.
Pakënaqësia është rritur edhe më shumë, thotë nënkryetari i SASHK-ut, Tafa Ameti, pas takimit të djeshëm të Qeverisë me Lidhjen e Sindikatave, me çka Qeveria ka shprehur gatishmëri për rritjen e pagave në sektorin publik për 2806 denarë.
“Sidomos mbledhja e fundit me Lidhjen e Sindikatave ku aty është edhe Sindikata për arsim e cila faktikisht ju ofrohet një përqindje shumë më e madhe se sa neve të cilët tani 2 javë jemi në grevë. Pra neve 2500, atyre 2840 dhe iritimi është shumë më i madh si Sindikatë në lidhje me këtë qëndrim të cilin e dha Qeveria”, tha Ameti.
SASHK herën e fundit që ka biseduar me ministrinë e Arsimit ka qenë të premten, thotë Ameti, por shton se edhe aty është insistuar që të pranohet patjetër 10%, sepse mundësitë e Qeverisë për momentin janë aq. Ameti thotë se greva vazhdon, ndërsa pritet që pas festave të ketë negociata të reja mes SASHK- ut dhe Qeverisë.
“Tash është festë, me siguri nesër jo, kështu që të hënën gjithsesi se po. Vendimi i Këshillit si organ më i lartë i Sindikatës është që greva vazhdon”, tha Ameti.
Ditë më parë, Avokati i popullit, Naser Zyberi, tha se mbështet të drejtën e mësimdhënësve për paga më të larta, por përparësi duhet t’i jepet të drejtës së fëmijëve për shkollim.
“Pra, është e drejtë paralele, e garantuar me Kushtetutë. Por në situatë të tillë, sipas dokumenteve ndërkombëtare dhe Konventës për të Drejtat e Fëmijës, në rast të konfliktit të dy të drejtave, përparësi duhet t’u jepet të drejtave të fëmijës, që do të thotë se procesi arsimor nuk duhet të pësojë pasoja”, tha Zyberi.
Greva në arsim dhe në çerdhe ka nisur nga 11 prilli dhe sipas SASHK-ut, në të janë të përfshirë mbi 25 mijë punonjës, ndërsa edhe te Avokati i popullit kanë arritur parashtresa, ku prindërit janë ankuar se përse nuk ka mësim nëpër shkolla.
