Ndryshimet kushtetuese janë parakusht dhe janë pjesë e marrëveshjes me Bashkimin Europian, andaj të njëjtat duhet të bëhen, deklaroi në “Click plus” emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin. Por nëse vendi do të arrijë t’ia dalë në fund ose jo me ndryshimet kushtetuese Sarazin tha se nuk mund të vë bast sepse çfarëdo vendimi që merr vendi duhet të respektohet.
“Ne mendojmë se ka një marrëveshje evropiane në tavolinë dhe se kjo duhet të pranohet ose të votohet kundër. Por nuk do të ketë marrëveshje të tjera në tavolinë. Se sa deputetë do të votojnë për ndryshimet kushtetuese nuk është detyra ime të gjykoj. Por ne e themi hapur dhe sinqerisht, flasim me të gjithë dhe po mundohemi të kuptojmë argumentet tona, për hir të integrimit europian, që Maqedonia e Veriut të fillojë këtë rrugëtim së bashku me Gjermaninë”, pohoi Manuel Sarazin, emisar i Gjermanisë për Ballkanin.
Sarazin tha se Maqedonia ka humbur mjaft kohë edhe për faj të vetin po edhe për faj të BE-së, andaj nuk ka më kohë për humbje. Gjermania gjithnjë do të respektojë kulturën, identitetin dhe gjuhën maqedonase, siguron emisari.
“Shumë njerëz në Maqedoninë e Veriut kanë frikë se me këtë proces po rrezikohet identiteti maqedonas, kultura maqedonase, gjuha maqedonase, vet ekzistimi i popullit maqedonas. Unë mund t’ju garantojë juve dhe të gjithë popullit në Maqedoni se për Gjermaninë, kjo është e rëndësishme dhe e respektojmë si të tillë. Ne e respektojmë identitetin maqedonas, kulturën maqedonase, respektojmë popullin e Maqedonisë, ne e respektojmë shtetin e Maqedonisë së Veriut”, tha Manuel Sarazin, emisar i Gjermanisë për Ballkanin.
Sarazin po ashtu tha se janë të vetëdijshëm se besimi në Bashkimin Europian nuk është më i njëjtë, por apeloi se vendi duhet të vazhdojë të besojë sepse BE është opsioni i qartë strategjik i shtetit.
