Sanohen gropat në rrugët e Tetovës/ Sipas ekspertit, riparimet po bëhen në mënyrë të gabuar

TË FUNDIT

Në Tetovë filloi sanimi i gropave nëpër rrugë. Siç mund të shihet në pamje asfalti i ri shtrohet pa mos u hapur asfalti i dëmtuar. Sipas ekspertit të komunikacionit Blerim Neimi, kjo mënyrë është e gabuar.

“Kur kemi gropa më të mëdha apo plasaritje më të mëdha këtu bëhet prerja e asfaltit deri në vendin ku eliminohet tërësisht dëmtimi. Asfalti lyhet me materialin që quhet emulsion ose material ku përfshihet baza e asfaltit që janë materiale të naftës edhe bëhet sanimi gropave ose plasaritjeve më të mëdha.”- Blerim Neimi – profesor i komunikacionit
Edhe kalimtarët e rastit të cilët i pyetëm thonë se këto arrnime nuk do qëndrojnë shumë.
“Nuk është mirë kështu. Duhet që të behët siç duhet, të pritet asfalti dhe të bëhet si duhet. Mendon se do qëndrojë kështu? Nuk mund të mbajë. Shumë shpejtë do prishet.”
“Shumë mirë punon komuna kur do. A kur nuk do i bën kështu me arrnime. Mendon se do mbajë kështu kjo? Po do mbajë nja 15 ditë mendoj se do mbajë.”
Ndryshe më 10 qershor të këtij viti komuna e Tetovës nënshkroi tender për sanimin e gropave dhe sanimin e rrugëve të qytetit të Tetovës me vlerë prej 18 milionë denarë, apo rreth 300 mijë euro.