Salla të reja, por mungesë kuadri! Rinovime në Spitalin “8 shtatori”

TË FUNDIT

Në Spitalin “8 Shtatori” në Shkup janë rikonstruuar plotësisht blloku operativ, kujdesi intensiv, patologjia, laboratori klinik dhe çatia. Pjesa e rinovuar do të vihet në përdorim brenda një ose dy muajsh, pasi të përfundojë dezinfektimi i objektit dhe trajnimi i stafit për pajisjet e reja që tashmë janë instaluar, njoftoi drejtori i këtij institucioni shëndetësor Sinisha Stojanoski. Ai tha se lista e pritjes së pacientëve për operacione do të përgjysmohet por për këtë nuk duhet vetëm salla të reja por edhe kuadër, që sipas drejtorit, mungon. Stojanoski vlerëson se pacientët duhet të marrin shërbime shëndetësore edhe në qytetet ku jetojnë, në vend që pothuajse gjithçka të përqendrohet në kryeqytet.

“Centralizimi është i dëmshëm për shëndetësinë e vendit, duhet të bëjmë rajonalizim dhe zhvillim shëndetësor të barabartë. Pacientët duhet të marrin shërbim cilësor të njëjtë edhe në vendet ku jetojnë, a do ta bëjmë këtë me rotacione të personelit, a do ta bëjmë këtë me ekipim të qendrave që janë jashtë Shkupit, duhet të ulemi dhe të merremi vesh, vetëm atëherë listat e pritjes do të përgjysmohen”, tha Sinisha Stojanoski – drejtor i SPQ“8 shtatori”.

Ankesën e drejtorit e dëgjoi edhe Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu i cili mori pjesë në përurimin e hapësirave të reja. Ai tha se po punojnë për një strategji afatgjatë që të tejkalohet ky problem dhe një zgjidhje afatshkurtër për ta tejkaluar këtë boshllëk.

“Kapacitet shëndetësor, ekspertë apo profesionistë nuk krijohen për një ditë apo për nja javë e për dy vite, por krijohen për 5 – 10 vjet. Ne për herë të parë po bëjmë strategji nacionale për kapacitete njerëzore në shëndetësi, bashkë me Ministrinë e Arsimit do të parashikojmë numrin e kapacitetit të performancave – nga infermieret, doktorët, specialistët dhe shpresoj që ajo strategji nacionale do të ndihmojë që pas pesë vitesh më të mos flitet për temën sa mjek apo infermiere na duhen”, pohoi Azir Aliu, minitër i Shëndetësisë.  

Përndryshe, rinovimi është investim i TAV Airports, ndërsa drejtori i TAV Macedonia, Nexhat Kurt, tha se projekti përfshin 4.334 metra katrorë të rikonstruktuar. Sipas Kurtit, sallat operative dhe repartet e kujdesit intensiv janë pajisur me teknologji moderne sipas standardeve më të reja mjekësore, ndërsa një pjesë e pajisjeve është unike dhe nuk gjendet në institucione të tjera në rajon.