Sali: Qeveria është garantuese e përfaqësimit të drejtë! Do të ketë trup koordinues i cili do ta mbikëqyrë zbatimin

TË FUNDIT

Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili duhet ta zëvendësojë balancuesin, ende nuk është dorëzuar në Kuvend, ndonëse është miratuar në seancë qeveritare.

Ish-anëtari i grupit të punës për këtë ligj, Mersim Maksuti, në emisionin Click Plus tha se ligji ka fuqi më të madhe juridike dhe vendos detyrime më të forta ndaj shtetit, por sipas tij, në përmbajtje nuk e rregullon përfaqësimin etnik në të njëjtën mënyrë si mekanizmi i mëparshëm.

“Ky ligj është më i mirë se balancuesi, në asnjë kuptim, po si akt juridik po, ka fuqi juridike më të lartë, është detyrim para shtetit më shumë, po në aspektin e përmbajtjes sa e rregullon përfaqësimin është larg balancuesit, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe duhet të jemi të sinqertë para opinionit. Edhe pse ishte balancuesi ashtu, ajo e rregullonte mund të themi lirshëm komplet çështjen e përkatësisë etnike, po qe se u zbatonte pa keqpërdorime, ashtu siç ka pasur shumë keqpërdorime në balancuesin. Të njëjtën gjë siç e bënte balancuesi, të ishte sot e inkorporuar në ligjin që është tash në procedurë, atëherë do të ishte zgjidhja ideale e këtij rasti”, tha Mersim Maksuti – profesor universitar.

Por zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali thotë përfaqësimi i drejtë dhe adekuatë do të respektohet, pasi siç shtoi Qeveria është garantuese e zbatimit të ligjit.

“Garantues për këtë jemi ne, dmth se ligji do të respektohet dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat do të implementohet në sistemin administrativ të këtij shteti. Natyrisht ligji parasheh formimin ose krijimin e akteve nënligjore, me të cilat në raste nevoje mund të miratohen dhe mbas asaj të veprohet në të ardhmen. E dini se në ligj është paraparë formimi i një trupi koordinativ që do ta udhëheq zv/kryeministri i parë i qeverisë, dhe do të jenë të kyçur më tepër ministra”, tha Bekim Sali, zëvendëskryeministër .

Me Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pritet të rregullohet përfaqësimit i bashkësive etnike në administratë. Ligji parasheh trup koordinues në kuadër të Qeverisë, i cili do të kontrollojë nëse respektohet përfaqësimi në institucione.