Për Ministrin e Shëndetësisë, Bekim Sali, as nuk ia vlen të përgjigjet mbi kërkesën e disa bashkëpartiakëve të tij të Alternativës që e kërkuan shkarkimin e tij. Thotë se në parti nuk ka pasur dhe nuk ka ankesa në lidhje me punën e tij si ministër dhe se kërkesa për dorëheqje vjen nga individë.
“Nuk vlen të përgjigjem në këtë pyetje për shkak se Dega e Çairit e mohoi këtë qëndrim dhe ata që kërkojnë dorëheqjen time janë individë të caktuar të cilët marrin pjesë në organe të ndryshme të partisë dhe asnjëherë deri më tani asnjë lloj pakënaqësie nuk është shprehur në organet partiake”, deklaroi Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Ditë më parë një pjesë e degës së Alternativës në Çair, publikisht kërkoi dorëheqjen e ministrit Bekim Sali. Konferencën për media e mbajti Meriton Civuli, i cili paraprakisht ka punuar po në Ministri të Shëndetësisë, si shef i kabinetit të Sali, por i njëjti është shkarkuar dy javë më parë. Jozyrtarisht mësohet se shkarkimi i tij erdhi pasi Civuli kishte kërkuar emërimin e drejtorëve shqiptarë nëpër klinika dhe përfaqësim më të madh shqiptar të infermierëve dhe mjekëve.
“Unë nuk do të hyja në detaje mirëpo ka një sërë mos respektim e të funksionit “shef i kabinetit” dhe të gjitha ato vërejtje janë të përsëritura në vazhdimësi, për këtë shkak është shkarkuar nga pozita shef i kabinetit”, pohoi Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Nga Dega e Çairit janë distancuar nga kërkesa e, siç i quajtën, 11 aktivistëve që kërkuan shkarkimin e Ministrit Bekim Sali. Kryetari i degës në Çair, Faton Fazliu, sqaroi se kërkesa nuk ka të bëjë me Degën, por rezultat i pakënaqësive personale.
