Shtrëngimi i masave anti-kovid për të hyrë në Kosovë, ka bërë që Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali të zhvillojë bisedë telefonike me homologun e tij nga Kosova Rifat Latifi, me kërkesën që të rishqyrtohet masa e vendosur. Sali për TV21 tregon se nuk mundi ta bind Latifin për t’i shfuqizuar masat, pasi siç tha, ato janë sjellë në pajtueshmëri me gjendjen epidemiologjike atje dhe të njëjtat Sali i arsyeton.
“Kolegut Latifi ia shpreha edhe brengën e qytetarëve të RMV që kanë lidhje familjare, biznesore, e detyrime të tjera që i lidhin me Kosovën, e të cilët kjo masë i ka kufizuar ndjeshëm, duke konstatuar bashkërisht se gjendje me pandeminë në vendet tona është gati e njëjtë, me mirëkuptim kërkova që ta rishqyrtojnë këtë vendim dhe të kërkojnë mundësi tjetër që edhe të mbrohet shëndeti i qytetarëve të të dyja vendeve por edhe të pengohet qarkullimi i tyre i lirë”, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Sali tha se gjatë javës do të ketë edhe një takim sy më sy me Latifin. Ndërkaq reagim përmes Facebookut ka edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani. Ai vlerëson se gjendja me virusin korona është e përafërt në Kosovë dhe Maqedoni, andaj nuk i sheh të arsyeshme kushtet që ka vendosur shteti ynë fqinj.
“Kufizimi i lëvizjes mes Kosovës dhe Maqedonisë epidemiologjikisht nuk ka peshë për momentin. Situata epidemiologjike këndej dhe matanë “gardhit” është lart-poshtë e njëjtë. Nuk arrij ta kuptoj këtë veprim të ministrit Latifi, se kë prej kujt po e mbron? Me shumë vështirësi dhe mezi e bëmë hapjen e kufirit, pas kufizimeve të para që ishin vendosur në fillim të pandemisë”, shkroi Ilir Hasani, zv/ministër i Shëndetësisë.
Ndryshe nga dje në Kosovë mund të udhëtoni vetëm nëse keni marrë 3 vaksina anti-kovid, ose mund të hyni edhe me dy vaksina por duke treguar edhe test negativ jo më të vjetër se 48 orë. Në Kosovë sot janë regjistruar 2957 raste, nga gjithsej 11.913 teste. Ministri i Shëndetësisë i Kosovës insiston që çdo qytetar të marrë edhe dozën e tretë.
