Ndonëse shtohet toleranca ligjore për kundërvajtjet në trafik të regjistruara përmes kamerave të Safe City, vigjilenca e lartë për mos tu gjobitur ka shkaktuar kolona nëpër kryeqytet. Madje në çdo semafor sapo të filloj të lëviz ngjyra gjelbër, vozitësit frenojnë. Makinat më të vjetra që nuk kanë matës digjital po vozisin edhe më ngadalë se 30km/h ndonëse shenja lejuar në Shkup është 50/km.
“Në ditën e dytë të zbatimit të Safe City në kryeqytet, por edhe në dy qytetet tjera si në Kumanovë dhe Tetovë, lëvizja në trafik është më e kujdesshme, dhe më e ngadaltë. Por, duke qenë se vetëm kamerat e kaltra, të cilat janë të vendosura këtu pas meje aktivizohen në katër lloje të kundërvajtjeve, disa nga qytetarët i kanë ngatërruar duke kujtuar se të gjitha kamerat e vendosura nëpër shtyllat e udhëkryqeve, siç janë edhe ato të bardha e të vogla të Byrosë për siguri publike, por ato nuk janë në funksion të Safe City për kundërvajtje në trafik”, raporton gazetari i TV21, Adnan Qaili.
Nga Ministria e Brendshme thonë se qytetarët duhet ta perceptojnë që Safe City është për të rritur sigurinë në trafik, por sigurisht që radarët mobil me automjete policore do të vazhdojnë të funksionojnë.
Ministri Toshkovski thotë se nga test-periudha është ulur dukshëm vdekshmëria dhe numri aksidenteve.
“Ju jeni ata që e keni ulur numrin e personave të lënduar nga aksidentet në trafik përafërsisht 35% vetëm në territorin e Shkupit dhe ju jeni ata që e keni ulur numrin e rasteve të vdekjes të shkaktuara në kuadër të fatkeqësive rrugore nga 11 në 4 viktima. Ju përgëzoj për gjithë këtë! Me zbatimin e këtij projekti dhe nga dita e parë e hyrjes në fuqi dëshmuam se kemi mundur që vlerat Evropiane t’i bëjmë në Maqedoni dhe kemi mundur të tregojmë një qasje ndryshe për dallim nga e kaluara”, u shpreh ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Me rregulloren e re që hyri në fuqi nga dje llogaritet një tolerancë pre 12% nga kufizimi i shpejtësisë.
Rregullorja që u përcaktua nën juridiksionin e Ministrisë së Energjetikës, nga Byroja e Metrologjisë tregon se nëse drejtoni një automjet ku kemi një shenjë 30 km/orë, me 36 km/orë kamera nuk do t’ju regjistrojë për një shkelje të trafikut, por do t’ju regjistrojë nëse lëvizni nga 37 km/orë e sipër.
TOLERANCA E “SAFE CITY”
Shpejtësia e kufizuar nga 10 deri në 50km/h toleranca prej 6 km/h mbetet siç ishte më parë;
Në tabelat nga 50km/h deri në 100 km/h toleranca ligjore sipas rregullores së re është 9 km/h;
Në tabelat nga 100km/h deri në 130 km/h toleranca është 12km/h.”
Nëse drejtoni automjetin ku lejohet shpejtësia deri në 50km/h, me 51 km/orë kamera do t’ju regjistrojë dhe do t’ju dërgojë një mesazh paralajmërues, por gjoba regjistrohet vetëm nëse vozisni me 60 km/h e sipër. Atje ku kemi limitin prej 100 km/h deri në 130 km/h, kamera do t’ju identifikojë me një tolerancë prej 12 km/h. Kështu që në 100 km/h, blic-radari aktivizohet me 113 km/h e më shumë.
