Çitaku kritikon qeverinë Kurti: Për ligjet e tjera procedura të përshpejtuara, për mbrojtjen e UÇK-së zvarritje

TË FUNDIT

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh deputete e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me mënyrën se si po trajtohen projektligjet e iniciuara nga Qeveria në komisionet parlamentare.

Ajo ka shprehur shqetësimin se një pjesë e madhe e këtyre nismave, sidomos ato që prekin fushën e drejtësisë, po kalojnë për shqyrtim në procedura të përshpejtuara. Sipas Çitakut, kjo po ndodh pa u zhvilluar analizë e mjaftueshme, debat i mirëfilltë parlamentar dhe dëgjime publike.

“Drejtësia nuk reformohet duke shmangur shqyrtimin parlamentar”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka ngritur gjithashtu dyshime se mënyra e trajtimit të këtyre ligjeve mund të jetë e ndikuar nga agjenda politike e pushtetit.

Në reagimin e saj, ajo i është referuar në mënyrë të veçantë projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Sipas saj, ky projektligj po mbahet nga ministrja, ndërsa si arsye është përmendur “ekspertizës juridike”.

“Për ligjet e tjera, procedura të përshpejtuara. Për mbrojtjen e UÇK-së, zvarritje!”, ka shkruar Çitaku.

Ajo u ka bërë thirrje ministres Donika Gërvalla, kryeministrit Albin Kurti dhe zyrtarëve të tjerë përgjegjës që të ndërmarrin hapa për procedimin e projektligjit në Kuvend.

Në reagimin e saj, Çitaku është ndalur edhe te protestat e ditëve të fundit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të dënuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Dëgjojeni popullin që tash e 15 ditë është në shesh”, ka deklaruar ajo.

Në fund, Çitaku ka paralajmëruar se vonesat, sipas saj, do të kenë pasoja për përgjegjësit institucionalë.

Ajo ka thënë se çdo ditë e humbur “vetëm sa ka për ta rënduar përgjegjësinë” e zyrtarëve, duke shtuar se “dita e llogaridhënies do të vijë”./21Media