Azem Sadiki i PDSH-së kaloi në ASH.
Vendimi i Sadikut erdhi pasi lideri i PDSH-së Menduh Thaçi doli me vendimin se do të bashkëpunojë me partinë e Ali Ahmetit, gjegjësisht BDI-në.
“Fatkeqësisht pas rrethit të parë ku unë fitova bindshëm me 706 diferencë, kryetari i PDSH-së më shiti shumë lirë. Unë se kam çmimin aq. Ata kishin përgatit një kurth bashkë me BDI-në që vullnetin e popullit në Studeniçan ta ndryshojnë”, tha Azem Sadiku – kryetar i Studeniçanit.
Ai tha se kundër tij në këto zgjedhje lokale është angazhuar e gjithë aparatura shtetërore duke përfshirë këtu Qeverinë, policinë dhe siç thotë ai, pare të pista duke shpërndarë para me vetura të policisë.
“Blerim Bexheti, Izet Mexhiti, Arif Asani vazhdimisht kanë qenë nëpër katunde në rrethin e dytë dhe edhe pse rritën votat, me mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët dhe me përkrahjen e fuqishme nga qytetarët e Studeniçanit unë arrita të fitoj zgjedhjet, sepse kështu është vullneti i popullit dhe vullnetin e tij nuk ka forcë që e mposhtë”, shtoi kryetari i Studeniçanit, Azem Sadiku.
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, me ton të butë komentoi largimin e kryetarit të Studeniçanit, Azem Sadiki prej PDSH-së dhe kalimin te Aleanca për Shqiptarët.
“Azemi ka fitu, gjithçka tjetër është e parëndësishme, merreni me mend po të mos kishte fitu kush e di sa do të ishin akuzat, kjo është vetëm e rëndësishme, tjerat jo. Gjithë Studeniçani e dinë se mos të kishte desht ky gjoks ai nuk fitonte”, deklaroi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Sadiki është rizgjedhur për të udhëhequr me komunën e Studeniçanit, njëherit e vetmja komunë që udhëhiqej nga partia e Thaçit, mirëpo edhe kjo i iku kësaj partie nga duart.
