Në prag të zgjedhjeve, përkatësisht në fushatë zgjedhore partitë politike dalin me premtime të ndryshme për ta fituar simpatinë e qytetarëve. U premtojnë atyre se do t’ua zgjidhin problemet të cilat i kanë. Por sa qytetarët u besojnë politikanëve dhe premtimeve të tyre në fushatë zgjedhore.
“Unë nuk u besoj fare. Mua nuk me interesojnë strategjitë e tyre. Posaçërisht në këtë krizë vetëm zgjedhje na munguan. Tash do jetë tamam”, tha Sezer Ameti – qytetar.
“Aspak. As nuk do të votoj. Përse? Pikërisht për këtë mosbesim. Premtime boshe. Para zgjedhjeve premtojnë, pas zgjedhje nuk realizohet”, tha një qytetar.
“Ka të mirë ka të këqij. Sa i realizojnë premtimet e tyre. Nuk i realizojnë fort”, tha një tjetër qytetar.
Sa ju besoni partive politike dhe premtimeve që i japin para zgjedhjeve?
“Zero. Nuk na e kanë dhënë shansin për t’ju besuar, pasi që deri tash asgjë nuk kanë bërë. Vetëm për vete mendojnë. Pa marrë parasysh të gjitha partitë politike. Edhe tek maqedonasit edhe tek shqiptarët”, deklaroi Sherif Xhaferi – qytetar.
Por një pjesë e tyre mendojnë se partitë me mundësitë e tyre bëjnë edhe realizimin e projekteve të cilat i premtojnë.
“Premtimet janë normale, realizimet në fund të fundit nuk varen vetëm prej atyre të cilët i japin premtimet. Aq sa kanë pasur hapësirë i kanë kryer të gjithë politikanët, tha Kenan Jahja – qytetar.
Premtimet të cilat i japin politikan sa u besoni?
“Pyetje e rëndë”, tha një tjetër qytetar.
“I realizojnë deri diku sa kanë mundësi, sa s’ka ska. Shteti prej popullit i merr paret. Prej pandemisë populli është dobësuar shumë nuk punojnë shumë biznese janë ndalë”, tha një qytetar.
“Premtojnë se do të jetë më mirë u besojmë partive”, deklaroi Zoran Mitev – qytetar.
“Unë jam për kryeministër shqiptar. Le të bashkohen partitë shqiptare dhe le ta marrin kryeministrin shqiptar”, tha Muhamed Alimi – qytetar.
Fillimisht shkaku i pandemisë së koronavirusit në vend u prolonguan zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara fillimisht për më 12 prill. Pas mosmarrëveshjeve të shumta për caktimin e datës së zgjedhjeve, partitë më në fund u morën vesh për të mbajtur zgjedhjet në 15 korrik. Zgjedhjet për herë të parë do të mbahen të mërkurën, ndërsa procesi do të zhvillohet edhe të hënën dhe të martën, kur do të votojnë të sëmurët me Covid-19 si dhe të burgosurit dhe të moshuarit.
