Këto janë pamjet nga momenti i shpërthimit të zjarrit në spitalit modular në Tetovë.
Ato janë filmuar nga kamera e sigurisë e objektit afër spitalit modular, ndërsa pamjet u publikuan në rrjetet sociale gjatë ditës së sotme.
Shihet se për disa sekonda zjarri përfshin të gjithë spitalin modular, gjersa bëhen përpjekje që të nxirren jashtë pacientët, madje nga dritarja.
Gjithçka ndodh brenda pak minutash. Gjersa shpërthimi dhe flakët e mëdha e bëjnë të pamundur evakuimin e pacientëve të tjerë.
Po me çfarë materiali janë ndërtuar këto spitale modulare dhe a kanë sistem kundërzjarrit?
Në furnizimet publike që ka bërë Ministria e Shëndetësisë gjetëm dokumentacionin e tenderimit të spitalit modular në Shkup. Tek pjesa e Karakteristikave teknike nuk shkruan askund që janë rezistente ndaj zjarrit, ndërsa shkruhet se janë të punuara nga material ekologjik. Gjithashtu nuk shkruhet se ka sistem kundër zjarrit.
Se a është kjo në rregull, pyetëm ekspertët. Inxhinieri i ndërtimit Nexhat Bajrami, pasi pa dokumentacionin tha se nuk janë definuar të gjitha parametrat.
“Në pjesën e karakteristikave teknike të materialeve janë definuar gjegjësisht paraparë vetëm parametrat për efikasitet energjetik dhe izolim akustik si dhe përçueshmërisë termike të materialeve. Në asnjë pjesë të karakteristikave teknike nuk është i definuar parametri për rezistencë ndaj zjarrit të materialeve të cilat duhet të përdoren për ndërtimin e spitalit modular”, tha Bajrami.
Sipas Bajramit materiali i ndërtimit të spitalit modular duhet të jetë rezistent ndaj zjarrit më së paku 30 minuta.
Prokuroria për ndjekje të krimit dhe korrupsionit, duke u bazuar në informacionet në opinion ka hapur lëndë për procedurën për kontrollin e zbatimit dhe realizimit të prokurimeve publike gjatë ndërtimit të spitaleve modulare. Gjithashtu shtojnë se do të mbledhin edhe dëshmi të tjera për vërtetimin e gjendjes faktike.
Kompania “Bako” që ka ndërtuar spitalet modular ka shkruar në rrjetin social. Nga kjo kompani thonë se punojnë me standarde të larta. Ndërsa thonë se kërkojnë nga hetuesia të hetojë rastin e zjarrit në Tetovë.
