Sa rrezikohemi nga lloji indian i virusit?

TË FUNDIT

Rritja e rasteve me llojin indian të koronavirusit ka alarmuar botën, ndërsa në Maqedoni tashmë janë shënuar dy raste me këtë llojin e ri të virusit. Por autoritet shëndetësore dhe ekspertët thonë që situata në vend është nën kontroll dhe nuk ka nevojë për panik. Infektlogu Aliriza Osmani thotë se qytetarët duhet të kenë kujdes por që nuk kanë nevojë të frikësohen.

“Duhet të kenë kujdes pak më tepër por nuk ka nevojë popullata të frikësohet, meqenëse ka rënë numri dhe kjo është shumë mirë dhe shumë pozitive. Por vetëm ata të cilët kanë simptome, temperaturë të kenë kujdes të mos përzihen me të tjerë dhe njëkohësisht të izolohen”, sqaron infektologu – Aliriza Osmani.

Infektologu shton se ende nuk ka informacione të sakta për virusin e ri Delta por se mjekët janë në gatishmëri për ta trajtuar çdo lloj të virusit që paraqitet.

“Ende nuk ka njohuri të sakta dhe të plota për virusin që e kemi kaluar e lere më për llojet e reja. Kjo është një familje e virusit dhe a do të jetë më mirë apo me keq do ta shohim. Ne jemi këtu që t’i trajtojmë pacientët dhe e japim maksimumin kur ka nevojë dhe faleminderit Zotit që tani jemi pak të qetë dhe kemi mundësi të pushojmë”, sqaron më tej ai.

Se nuk ka vend për panik thotë edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Pacienti i dytë që u regjistrua dje me llojin indian, është një qytetar që është kthyer nga Iraku, kurse i njëjti po trajtohet në spital privat.

“Frika nga lloji indian ose ndonjë formë e re e mundshme e mutacionit që mund të lidhet me virusin aktual është e pranishme gjithkund. Por ajo që është e rëndësishme është që praktikisht të gjitha vaksinat mbrojnë kundër një forme të rëndë të sëmundjes ose vdekjes edhe nga ndonjë formë e tillë e mutuar të virusit”, deklaroi Filipçe.

Pyetja që mbetet është se a do të ketë në vjeshtë një mbyllje tjetër apo një valë të katërt pandemie?
Varianti Delta, që fillimisht është detektuar në Indi, ndërsa është bërë varianti dominues në botë i koronavirusit, thonë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Po ashtu, ky variant, që është më i transmetueshëm. Liderët e Gjermanisë dhe Francës u kanë bërë thirrje shteteve të BE-së që të jenë më vigjilente ndaj variantit Delta, që kërcënon përparimin që këto shtete kanë shënuar ndaj pandemisë, që u ka lejuar atyre që të heqin gradualisht kufizimet.