Sa respektohet Ligji për marrëdhëniet e detyrimeve? Shoqatat: Përmbaruesit vazhdojnë t’i vjedhin qytetarët

TË FUNDIT

Kanë kaluar katër muaj prej kur janë në fuqi ndryshimet e reja ligjore në ligjin për marrëdhënie të detyrimeve, e ku në nenin 2 janë paraparë ndryshime të rregullores nga neni 368, ku është caktuar se procedura përmbaruese mund të realizohet në afat prej 10 viteve nga dita e dorëzimit të kërkesës për përmbarim, e pas këtij afati, ka vjetërsim absolut. Mirëpo sipas shoqatave “KOSM”, “Njeriu mbi përfitimin”, “Non Pasaran” dhe Partia për Emancipim të Plotë të Romëve, gjatë këtyre katër muajve ekzistojnë vetëm disa vendime për vjetërsim absolut nga Gjykata e Apelit. Siç shtojnë, mijëra lëndë po i vendosin qytetarët në varfëri të rëndë.


“Përmbaruesit është dashur menjëherë pas sjelljes së ligjit t’i ndërprenë këto procedura të cilat përmbushin kushtet e ligjit. Këtë është dashur ta bëjnë vullnetarisht, gjegjësisht sipas ligjit. Mirëpo, qytetarët i kanë njoftuar përmbaruesit, kanë dorëzuar edhe kërkesë për ndërprerje të procedurës mirëpo ata nuk e kanë bërë këtë. Këto përmbarues duhet penalisht të përgjigjen.”- thotë Marjan Nenov – Non Pasaran.


Sipas Nenov, qytetarët kanë dorëzuar ankesë edhe në gjykatë, mirëpo gjykatës të caktuar janë përgjigjur negativisht ndaj kërkesë së tyre në përputhje me ligjin e ri. Marjan Risteski nga Konfederata e Organizatave Sindikale të Maqedonisë, tregon se një qytetari për 60 denarë borxh, përmbaruesi i ka paguar shumë prej 16,800 denarëve.
“E vetmja që funksionon në shtet janë përmbaruesit, avokatët, noterët, kreditë e shpejta dhe shoqatat finansiare. Përsëri kemi vjedhje totale. Unë përsëri do ta shfrytëzoj këtë mundësi. Nuk mundet që për 60 denarë për parkim, 16,800 denarë i’a kanë paguar një qytetari para një muajve. Kjo vjedhje duhet të ndalojë.”- pohoi Marjan Risteski – Kryetar i KOSM.


Samka Ibraimovski nga Partia për Emancipim Total të Romëve, u bën thirrje gjykatësve që të vendosin në interes të qytetarëve, respektivisht të respektojnë ligjin për marrëdhënie të detyrimeve.
“Për këtë, dua t’u them edhe një herë gjykatësve, Gjykatave Themelore dhe Gjykatave të Apelit. Të veprojnë sipas ligjit, gjegjësisht nenit 2 paragrafi 3 nga ligji për marrëdhënie të detyrimeve dhe t’i shkurtojnë përmbarimet, të sjellin konkluzion që borxhi nuk mund të paguhet më për shkak vjetërsimit të ligjit. Përmbaruesit duhet patjetër ta respektojnë ligjin, por nuk po e bëjnë këtë.”- tha Samka Ibraimovski – Kryetar i PETR.


Këto katër shoqata kanë dorëzuar edhe një iniciativë deri te Gjykata Kushtetuese ku kontestojnë një nen nga ligji për përmbarim për shkak se nuk është në harmonizim me ligjin për marrëdhënie të detyrimeve. Nëse edhe më tej nuk respektohen kërkesat e tyre, më 2 dhjetor kanë vendosur që të mbajnë protesta.