Sa herë që pastrohen, deponitë e vogla nëpër Tetovë, shpejt mbushen me mbeturina. Për të parë se kush e ndot qytetin në këtë mënyrë, ndërmarrja komunale “Tetova” ka në plan që të vendosi kamera në disa lokacione.
“Për këtë do mundohemi në maksimum të gjemë zgjidhje jemi në koordinim të vazhdueshëm me inspektoratin komunal mirëpo deri më tani nuk ka pasur efekt, jo se ata nuk e kanë bërë punën e vet mirëpo ai që është i pritur të bëj një problem gjithnjë do të gjejë kohën dhe vendin e duhur, ne jemi të mendimit e brenda kohës jemi duke bërë një projekt në këtë vend të detektuar të shkojmë me “livestream” në faqen e komunës që gjithë qytetarët ta shohin se kush hedh mbeturina në ato vende”, thotë Daut Memeshi, zv.drejtor i NPK “Tetova”.
Tani për tani nuk ka ndonjë lokacion të veçantë për hedhjen e mbeturinave nga materiale të forta.
“Po ka të detektuar edhe disa minideponi me mbetje inerte të cilët janë dhe në bashkëpunim me inspektoratin komunal duhet të bëhet një analizë se nga kanë ardhur ato e më pas duhet të kërkohet vend apostafat se nuk guxojnë të jenë me një vend me mbeturinat. Jo për momentin nuk ka ndonjë vend të caktuar se ku dihet të jenë edhe më këtë do jemi në kontakt me inspektoratin e komunës dhe do gjejmë një vend apostafat edhe për atë”.
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, gjatë fushatës zgjedhore pat thënë se një investitor nga Sllovenia i ka premtuar se do të gjejë zgjidhje për mbeturinat në qytet.
“Ai mik duke përcjell kampanjën tonë tha le që qëndrojmë fuqishëm pranë jush por kemi avancuar dhe me teknikat edhe djegies së mbeturinave kështu që në “Teteks 1” jepe mesazhin e madh që ne nga momenti i marrjes së pushtetit Tetovën do të bëjmë një qytet të pastër, një qytet që do jetë një ndër qytet më të bukura të Maqedonisë së Veriut”, tha Kasami më datë 08.11.2021.
Ndërmarrja publike komunale “Tetova” ka rreth 10 milionë euro borxh, ndërsa të punësuarit në këtë ndërmarrje janë dy muaj pa rroga.
