Sa mjete kanë shkuar tek kompanitë? Angellovska e kënaqur me rezultatet, OEMVP jo!

TË FUNDIT

Pakoja e parë dhe e dytë për mbështetje të kompanive kanë dhënë rezultat, vlerëson ministrja e Financave Nina Angellovska, duke shtuar se vetëm në muajin maj janë ndarë 30 milion euro për subvencionimin e pagave prej 14,500 denarëve, që sipas saj ndihmon mbi 130 mijë punëtorë. Por sa nga mbi 500 milion eurot e parapara në 3 pakot ekonomike qeveritare deri më tani kanë përfunduar tek sipërmarrësit?

“Mbi 50 milion euro janë mjete të cilat janë derdhur, paguar, për ndihmë direkte financiare vetëm për sektorin privat, ndërmarrësinë. Këtu janë edhe masat e tjera për të cilat do të bëhen pagesa dhe realizim në periudhën e ardhshme, këtu është edhe muaji i dytë për mbeshtetje për rrogat”, deklaroi Nina Angellovska – ministre e Financave.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore Drilon Iseni ditë më parë tha për TV21 se dy pakot e para ekonomike që qeveria i solli për të mbështetur biznesin, nuk kanë gjetur zbatim tek të gjitha kompanitë, ndërsa vlerëson se vlera e mjeteve të injektuara në biznes mbetet shumë e vogël.

“Nga mjetet që qeveria në baza të ndryshme i ka siguruar. Në bazë të kredive, donacione të ndryshme, nga mjetet prej mbi 550 milion, afër 30 milion janë të injektuara zyrtarisht në bizneset e Maqedonisë”, deklaroi Drilon Iseni – drejtor ekzekutiv i OEMVP-së.

Në anketën e fundit që OEMVP ka realizuar me mikro kompanitë, rezulton se 100% e të anketuarve nuk kanë shfrytëzuar kredi pa interes që i jep Banka Maqedonase për Rindërtim dhe Zhvillim. Oda e ka ngritur në qeveri shqetësimin e bizneseve se Banka Maqedonase për Zhvillim nuk u përgjigjet për kërkesat e tyre, ndërsa arsyetimin që kanë marrë është se kjo kredi funksionon me parimin ‘shërbehet ai që arrin i pari’. Ndërkaq ministrja Angellovska sot tregoi se 30 milion euro janë paguar nga kjo masë.