Sa do të jenë efikase masat e qeverisë për ballafaqim me krizën dhe si do të reflektojnë ndaj ekonomisë. Zv/kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi në emisionin Klik Plus në TV21 tha se gjatë sjelljes së masave prioritet është që t’u ndihmohet kompanive që të mos i largojnë punëtorët nga puna. Ai paralajmëroi se masat nuk do të jenë me afat të shkurtër por afatgjate, në drejtim të qëndrueshmërisë së kompanive dhe njëkohësisht që të shmanget recesioni.
“Ulja e aktivitetit ekonomik të këtyre 1360 kompanive do të thotë se ne si shtet shumë lehtë mund të hyjmë në recesion në këtë periudhë dhe periudhën e ardhshme. Ne duhet të bëjmë ç’mos që të ruhet aktiviteti ekonomik për shkak se konkurrenca është e rëndësishme, por edhe ruajtja e vendeve të punës është gjithashtu shumë e rëndësishme. Neve na mungojnë punëtorë dhe çdo vend i punës që do ta ruajmë është motiv shtesë”, tha Fatmir Bytyqi, zv/kryeministër për Ekonomi.
Nënkryetari i Odës ekonomike, Zoran Jovanovski e përkrah vendimin për ndihmë të amvisërive, por tha se para se gjithash duhet të mendohet për ndihmë të ekonomisë, sepse ata tashmë ballafaqohen me konsum të ulët, likuiditet dhe vonesë të pagesave.
“Nëse subvenciononi 80%, ju në fakt e subvenciononi shpenzimin për amvisëritë, nëse duhet të jetë 100 denarë, për shembull, 100 denarë për faturën e energjisë elektrike, qytetarët paguajnë 20 ndërsa shteti paguan 80 denarë. A është kjo zgjidhja nëse kompania mbyllet dhe qytetari që duhet t’i paguajë ato 20 denarë, nuk do të mund të paguajë për shkak se nuk ka marrë rrogë”, tha Zoran Jovanovski, nënkryetar i OEM.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Drilon Iseni, tha se shumë kompani kishin dilemë nëse të punojnë me humbje ose t’i shkarkojnë punëtorët.
“Nëse i pyesni cilat janë tre problemet më të mëdha, padyshim të gjithë do t’ju thonë: kriza energjetike, kapitali njerëzor dhe mjetet likuide. Tani kompanitë përballen me këto tre probleme në të njëjtën kohë. Mjetet likuide që i kanë si kursim ose në bankë, tashmë i kanë shterur për shkak të pandemisë covid dhe tani janë në dilemë – nëse të punojnë me humbje ose t’i largojnë nga puna të punësuarit e tyre”, tha Drilon Iseni, drejtor ekzekutiv i OEMVP-së.
Një nga masat e mundshme është që Qeveria të orientohet drejt prodhimit vendor të rrymës me qëllim që ajo të jetë më e lirë për ekonominë, propozon nënkryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike, Goran Georgievski, duke shtuar se është e palejueshme që kapacitetet e vendit të punojnë në mënyrë minimale.
“Një nga TEC-ët praktikisht nuk punon, nuk e di cili më saktësisht, pastaj TEC Negotina ka dy kaldaja, mendoj se njëra punon me 80 megavat, kurse tjetra nuk jam i sigurt nëse ka filluar me punë. Praktikisht, tani kjo duhej të funksiononte dhe të punonte shumë gjatë periudhës së kaluar, nga fillimi i tremujorit të parë të vitit. Me këtë do të mundësohej të kemi çmime më të ulëta të energjisë elektrike, gjegjësisht biznesi të ketë çmime më të ulëta të rrymës”, theksoi Goran Georgievski, nënkryetar i LOE.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski së fundmi doli me kritika se masat për ta ndihmuar ekonominë nuk mjaftojnë prandaj propozoi masa të tij. Njëra prej tyre është që tepricat e rrymës të prodhuara nga EMV-ja me tarifë të lirë, gjegjësisht tepricat që prodhohen gjatë natës dhe fundjavave, e të cilat nuk do të tejkalojë çmim prej 80 eurove për një megavat orë, t’i ofrohen ekonomisë.
