Gjashtë civilë të tjerë ukrainas u vranë të hënën, njoftoi një zyrtar i emergjencave, kur Rusia bombardoi një strehim dykatësh në qytetin lindor Toretsk.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave tha në Facebook se ekipet e kërkimit kishin gjetur pesë trupa nën rrënoja dhe kishin nxjerrë tre persona të tjerë të gjallë, nga të cilët njëri humbi jetën më pas në spital.
“Qyteti Toretsk u sulmua sot që në mëngjes. Një godinë dykatëshe ku ishin strehuar njerëz u shkatërrua nga një predhë”, thuhej në deklaratë.
Një fotografi tregon ekipet që rrëmojnë, por shërbimi i emergjencave tha se kërkimi për të mbijetuarit është ndalur tashmë.
Megjithëse Rusia mohon se vendos në objektiv civilët, forcat ruse kanë bombarduar objekte të shumta joushtarake gjatë kësaj periudhe pesëmujore duke vrarë me qindra civilë.
Në frontin diplomatik, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të hënën se shpreson se do të ketë një marrëveshje këtë javë që Rusia t’i japë fund bllokadës së porteve ukrainase në Odesa dhe gjetkë. Jetët e dhjetëra mijëra njerëzve varen nga një marrëveshje e tillë, ndërkohë që ka mungesa të ushqimeve në shumë vende.
