Rusia kërcënon të ndërpresë marrëveshjen për eksportin e grurit ukrainas

TË FUNDIT

Rusia kërcënoi të ndërpresë marrëveshjen e eksportit të grurit me Ukrainën për shkak të pengesave perëndimore ndaj eksportit të ushqimit dhe plehrave ruse, raportojnë Reuters dhe AP.

Gjatë një vizite në Turqi, më 7 prill, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se nëse Perëndimi nuk heq kufizimet bankare dhe të sigurisë, të cilat pengojnë eksportin e mallrave ruse, Rusia do të heqë dorë nga marrëveshja e korrikut 2022, sipas së cilës Ukraina ka eksportuar grurin e saj përmes porteve të Detit të Zi.

“Nëse ata nuk kanë dëshirë t’i qasen sinqerisht marrëveshjes, le të vazhdojnë të dërgojnë prodhimet nga Ukraina përmes tokës, hekurudhës dhe lumit”, tha Lavrov në Ankara.

Ai shtoi se Rusia do të shqyrtojë nëse marrëveshja në fjalë është e nevojshme, sepse nuk ka përparim në heqjen e pengesave për eksportin e plehrave bujqësore dhe grurit rus. Ai theksoi se Moska do të punojë jashtë kësaj kornize për eksportin e produkteve të saj.