Rusia ka potencial ndikimi për një luftë në Ballkan, tha Rama

TË FUNDIT

Ballkani i Hapur dhe intensifikimi marrëdhënieve rajonale janë rruga e vetme që Rusia mos të shfrytëzojë tensionin në veri të Kosovës për të shtrirë agresionin në Ballkanin Perëndimor. Këtë përgjigje dha në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun spanjoll, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Sipas tij, rreziku i përshkallëzimit rus në rajon është potencial, por kjo nuk është arsye për të rënë pre e nacionalizmave dhe qëndrimeve luftënxitëse, por të nxiten mekanizmat e paqes dhe dialogut.

“Rusia ka një potencial ndikimi deri në përshkallëzim që mund të çojë në luftë këtu në Ballkan, ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe të vendosur për të vazhduar në rrugën e forcimit të lidhjeve që ndërtojnë paqen. Kjo është jo arsye për të kaluar në prehrin joshës, por fatal të nacionalizmave dhe qëndrimeve luftënxitëse, por arsye për të insistuar te mekanizmat e ndërtimit të paqes ata që nuk duan paqe e dialog me Serbinë, duan që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s kur hija e mundshme e shtrirjes së agresionit rus kërcënon Kosovën. Si do të bëhet Kosova anëtare në NATO, kur Spanja, Romania e Sllovakia janë në NATO? Si mund të bindim këto vende që të pranojnë të futin në NATO një vend që nuk e njohin përveçse duke shtyrë një proces që njohja të vijë mes Kosovës e Serbisë?  

A e dini që Serbia është në partneritet për paqe në NATO dhe Kosovën nuk e fusin dot. Futja në NATO është vizion strategjik, ndërsa luftërat nuk janë vizion strategjik, por dritëshkurtësi nacionalfolklorike. Unë besoj shumë fort te Ballkani i Hapur dhe intensifikimi i marrëdhënieve rajonale dhe fuqia e njerëzve kur ulen rreth një tryeze, kur janë në pozicione të ndryshme me njëri-tjetrin. Asgjë nuk vjen nga qëndrimi në distancë dhe me kurriz përveçse moskuptimi i arsyeve të tjetrit. Aq sa qeveria e Kosovës ka të drejtë 100% për të zbatuar marrëveshjen siç mbështes dhe shtyrjen me 30 ditë aq edhe konfirmoj bindjen se ka vetëm një rrugë për fëmijët tanë që të garantojmë që bombat nga Donbasi të mos përfundojnë në rajon”.  

Edhe kryeministri spanjoll, theksoi se vetëm përmes një politike të mirë, reduktohen shanset e Rusisë për të shtrirë pushtimin e tij.

“Unë mendoj që është rëndësishme të jemi të ndërgjegjshëm se invazioni i Putinit në Ukrainë nuk mund të shtyjë zgjidhjen e konfliktit dhe sa më shumë të angazhohemi për shembull në Bosnjë për të nxjerrë nga situata e bllokimit shumë më mirë do të jetë. Duke bërë politikë të mirë, duke menduar për brezat e ardhshëm, ne duhet të reduktojmë oportunitet që ka Putini për të zgjeruar evazionin e tij”.