Rusia “i tërheq veshin” Vuçiç: Kujdes me shitjen e armëve!

TË FUNDIT

Rusia i kërkon sqarime Beogradit. Kjo pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për mundësinë e shitjes së municionit Bashkimit Evropian, pas shqetësimeve në Moskë se ai mund të përfundojnë në Ukrainë.

Në një intervistë rishtazi për revistën gjermane Cicero, Vuçiç deklaroj se Serbia ishte e gatshme t’u shiste municion partnerëve evropianë, edhe nëse armët do të përfundonin në Ukrainë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha në konferencën e rregullt për media se Serbia e ka siguruar disa herë Rusinë se municioni i saj nuk do të përfundojë në duart e Ukrainës.

“Prandaj për komentet e Vuçiçit kërkojmë një shpjegim zyrtar nga Beogradi”, tha Zakharova të premten në Moskë.

Një përgjigje erdhi edhe nga Beogradi. Të premten, sekretarja shtetërore e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Nevena Jovanoviç, tha se Serbia nuk furnizon me armatim dhe pajisje ushtarake palët që janë në luftë askund në botë.

Duke iu përgjigjur Moskës, ajo theksoi se Beogradi respekton rreptësishtë rregullat dhe normat ndërkombëtare dhe ato të Kombeve të Bashkuara. Ajo kujtoi gjithashtu se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Pas këtyre deklarimeve reagoi edhe Dmitri Peskov, zëdhënësi i presidentit të Rusisë Vladimir Putin, i cili tha se Rusia e kupton “presionin e jashtëzakonshëm” që po ushtrohet ndaj Serbisë dhe çështjen e eksportit të armëve serbe e përshkroi si “çështje aspak të thjeshtë”.

Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë ka deklaruar në qershor se kompanitë serbe kanë rritur furnizimet indirekte të armëve për Ukrainën përmes vendeve të BE-së, si Çekia dhe Bullgaria.

Beogradi ka mohuar vazhdimisht se Serbia eksporton drejtpërdrejt armatim në Ukrainë ose Rusi, dhe ka deklaruar se nuk mund të ndikojë nëse armët serbe, pasi shiten në vende të treta, përfundojnë në frontin ukrainas.