Rusia bllokon me veto rezolutën e propozuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja

TË FUNDIT

Rusia bllokoi me veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, rezolutën e propozuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja, ku kërkohej dënimi i  referendumeve të paligjshme në Ukrainë.

Përmes rezolutës u bëhej thirrje të gjitha shteteve që të mos i njohin ndryshimet territoriale te bëra nga Kremlini dhe që Rusia të tërheqë trupat nga territoret ukrainase.

10 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, votuan pro, ndërsa Kina, Gaboni, India dhe Brazili abstenuan nga votimi.

“Mbroni sovranitetin, mbroni integritetin territorial, promovoni paqen dhe sigurinë. Kombet e Bashkuara u ndërtuan mbi një ide që kurrë më nuk do të lejohej që një vend të merrte me forcë territorin e një tjetri”, tha ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Pas mbledhjes, në faqen zyrtare në Twitter të Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara shkruhej se Këshilli i Sigurimit u zu sërish peng nga vetoja e Rusisë ndaj rezolutës së propozuar.

“Këshilli i Sigurimit u zu sërish peng nga vetoja e Rusisë ndaj rezolutës së propozuar nga  Shqipëria  dhe SHBA-ja që dënonte referendumet e paligjshme. Projekt-rezoluta do të dërgohet në Asamblenë e Përgjithshme, për të mbrojtur Kartën e OKB-së, ligjin ndërkombëtar, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, shkruhet në postim.

error: Content is protected !!