Rusia tha të mërkurën se ka ngritur akuza ndaj themeluesit të Telegramit, Pavel Durov, për lehtësim të aktiviteteve terroriste, duke pretenduar se aplikacioni i tij shumë i përdorur po shfrytëzohej nga spiunë ukrainas për të organizuar sulme brenda Rusisë, shkruan Reuters.
Si kundërpërgjigje, llogaria zyrtare e Telegramit në platformën X publikoi një fotografi të miliarderit me origjinë ruse duke bërë një gjest ofendues me gishtin e mesit.
Akuzat, të bëra publike nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB), shënuan kulmin e një hetimi të gjatë ndaj Durovit, i cili jeton në Dubai, dhe platformës Telegram.
Moska praktikisht e ka kufizuar funksionimin e shërbimit si pjesë e një fushate më të gjerë për të bllokuar qasjen në platformat e huaja teknologjike dhe për të rritur kontrollin mbi internetin.
Rusët tani mund të kenë qasje në Telegram vetëm duke përdorur një VPN për të enkriptuar trafikun dhe për të fshehur vendndodhjen e tyre. Megjithatë, institucionet shtetërore, përfshirë Kremlinin dhe Ministrinë e Mbrojtjes, vazhdojnë të publikojnë rregullisht në këtë platformë.
Aplikacioni është përshkruar si një “fushëbetejë virtuale” në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, pasi përdoret nga zyrtarë, ushtarë dhe blogerë me ndikim nga të dyja palët.
Në deklaratat e tyre, FSB dhe Komiteti Hetimor rus thanë se një chatbot në Telegram, i quajtur “Daivinchik/Leo”, ishte përdorur nga shërbimet speciale ukrainase për të rekrutuar të rinj rusë për të kryer akte sabotazhi dhe operacione terroriste.
“Daivinchik/Leo” është një chatbot i njohur për takime në Rusi, ku aplikacioni Tinder nuk është më i disponueshëm. Sipas deklaratës, spiunë ukrainas që paraqiteshin si vajza të reja e përdornin atë për të kontaktuar dhe futur në kurth qytetarë rusë, më pas duke i detyruar të kryenin krime.
FSB-ja tha se gjatë vitit të fundit janë arrestuar 46 rusë të moshës nga 12 deri në 22 vjeç, pasi dyshohet se ishin rekrutuar në këtë mënyrë për të kryer sulme ndaj pjesëtarëve të organeve të rendit ose për t’u vënë zjarrin objekteve të transportit, energjisë, komunikimit apo infrastrukturës financiare.
Ukraina nuk ka dhënë menjëherë ndonjë koment.
Sipas deklaratës së FSB-së, Durov është vendosur në listën ndërkombëtare të personave në kërkim, por nuk u bë e ditur se çfarë mekanizmi do të përdorë Rusia për këtë.
Organizata ndërkombëtare e policisë Interpol nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment. Nëse Moska kërkon lëshimin e një njoftimi të kuq (Red Notice), procesi pritet të mos jetë i shpejtë, sipas një burimi të njohur me situatën.
