Rusët shkatërrojnë urat në Severodonetsk

TË FUNDIT

Autoritetet lokale në lindje të Ukrainës bëjnë me dije se forcat ruse kanë shkatërruar të gjitha urat që të çojnë në qytetin e Severodonetsk, i cili prej javësh është fushëbeteja kryesore.

Tashmë, sipas guvernatorit Serhiy Haidai dërgimi i furnizimeve dhe evakuimi i civilëve nga qyteti i Severodonetskut është pothuajse i pamundur.

Luftimet e ashpra po zhvillohen në qytetin lindor ku zyrtarët ukrainas thanë se artileria ruse kishte dëbuar forcat e saj nga qendra. Për javë të tëra, marrja e kontrollit të Severodonetsk ka qenë objektivi kryesor ushtarak për Rusinë.

Kontrolli i Severodonetsk dhe Lysychansk do t’i jepte Moskës kontrollin e të gjithë rajonit të Luhansk, shumica e të cilit tashmë kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Të tre urat në Severodonetsk u shkatërruan, tha zoti Haidai në Telegram. Ata banorë të mbetur në qytet mbijetojnë në “kushte jashtëzakonisht të vështira”, shtoi ai.