“Rrugët shtetërore” për BDI-në, Fondi shëndetësor për Muhamed Zekirin? Zaev ka dilema

TË FUNDIT

Dilemë nëse nënkryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Muhamed Zekiri duhet të marrë post në ekzekutiv apo të qëndrojë deputet në Kuvend. Kryeministri Zoran Zaev as nuk e mohoi dhe as pohoi informacionin jozyrtar se Zekiri do të jetë drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor.

“Nuk kemi sjellë vendim ende. Opsionet ekzistojnë. Ai është nënkryetari ynë. Ekziston dilema se nëse ai duhet të qëndrojë në Parlament apo të marrë ndonjë funksion në ekzekutiv. Kështu që kur do t’i sjellim vendimet, do t’i kumtojmë”, tha Zaev.

Zaev nuk komentoi as drejtoritë me të cilat pritet të udhëheqë Bashkimi Demokratik për Integrim, pasi tha se procedura për plotësimin e eshalonit të tretë do të bëhet nga fillimi i tetorit dhe do të përfundojë kah 10-15 tetori. Kjo vlen për drejtoritë për të cilat vendos Qeveria, kurse për të tjerat do të vendosin ministrat dhe do të hapen konkurse. Por Zaev premtoi se tërë kjo situatë nuk do të pengojë funksionimin e  drejtorive.

“Institucionet i kanë udhëheqësit e tyre, ata punojnë, funksionojnë dhe nuk e kemi për qëllim t’i pengojmë. Është e rëndësishme që seleksionimi i kuadrove të jetë adekuat, të zgjedhim kapacitetin maksimal të ofertave që të mund të shpresojmë në rritjen e suksesit të tyre”, tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev,.

Deri më tani është konfirmuar vetëm informacioni se BDI-ja do të drejtojë ndërmarrjen “Rrugët shtetërore”.

“Se pse ky do të jetë një mandat ndryshe, shihet nga resorët për të cilat jemi përcaktuar. Jemi përcaktuar për resorët financiare dhe ekonomike, logjistike dhe infrastrukturë. Kemi marrë ndërmarrjen “Rrugë shtetërore” dhe i kemi si prioritet ato që kanë ngecur. Veçanërisht ato që janë jetike për ne, infrastruktura dhe korridori 8”, deklaroi ditë më parë, Artan Grubi nga BDI në Click Plus.

Jozyrtarisht mësohet se LSDM dhe BDI do të shkëmbejnë edhe Postën dhe MEPSO-n, ndërkaq LSDM do të marrë edhe Fondin Pensional, “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura” dhe “Rrugët e Maqedonisë” me të cilin deri tash ka udhëhequr BDI. Emërimi i drejtorëve po vjen pasi ditë më parë Kuvendi votoi zëvendësministrat me çka u kompletua edhe eshaloni i dytë i qeverisë.