Rrugët me gropa, me vite të pasanuara / Tetovarët i dëmtojnë makinat, Kasami thotë se puna do të nis së shpejti

TË FUNDIT

Kjo është lagjja e Vardarit në Tetovë.

Kjo rrugë ka vite që nuk është sanuar. Se kur mund të jetë ndërhyrë në këtë rrugë nuk e mbajnë mend as qytetarët, ndërsa ankohen se po i dëmtojnë veturat.

Situata e njëjtë edhe në rrugën “29 nëntori”, ku gropat nuk janë mbyllur nga autoritetet komunale por këtë gjë e kanë bërë vetë qytetarët në forma të ndryshme.

Edhe pse jemi në fund të muajt qershor, në qytetin përbri Sharrit ende nuk ka filluar sanimi i gropave.

Kryetari i Tetovës Bilall Kasami thotë se gjatë javës duhet të përfundojnë procedurat administrative, pas çka do të mund të niste sanimi i gropave.

“Procedurat tenderimit është përmbyllur, duhet të nënshkruhet kontrata me firmën që ka fituar tenderin dhe në bashkëpunim me sektorin për veprimtari komunale duhet të bëjmë një plan për rrugët që do të sanohen. D.m.th. brenda ditëve në vijim të përfundojmë procedurat administrative dhe besoj që shpejt do të nisë edhe sanimi i gropave”, thotë Kasami.

Kasami kërkon mirëkuptim nga qytetarët, pasi siç sqaroi, disa rrugë do të asfaltohen në tërësi, andaj duhet pasur durim deri sa të nisim punimet.