Edhe pse këtë dimër nuk kemi pasur reshje të borës dhe ngrica në Tetovë, rrugët janë plot me gropa. Zakonisht, rrugët dytësore janë më të dëmtuara dhe shkaktojnë dëmtim të shumë veturave. Komuna e Tetovës ka paraparë të bëjë riparime për këtë vit. Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, thotë se gropat do të riparohen së shpejti. Si zgjidhje, ai sheh nevojën për rikonstruksionin e disa rrugëve.
“Së shpejti do të nisë edhe sanimi i gropave në pjesë tjera të qytetit, por duhet të kenë mirëkuptim se një pjesë të rrugëve do të shkohet me gërryerje dhe asfaltim. Nuk flasim për sanim por për asfaltim të plotë të atyre rrugëve. Kështu që kjo rrugë është rruga që do të jetë një formë të shëtitores në mes rruges ‘Boris Kidric’, dhe e kemi rrugën vëllezërit ‘Milladinov’ që do të behët me asfaltim dhe kanalizim atmosferik dhe ndriçim publik. Janë disa rrugë që do të asfaltohen dhe pjesa tjetër që do të ketë nevojë për sanim do të fillohet shumë shpejtë” , tha Bilall Kasami –kryetar i komunës.
Vitin e kaluar, edhe pse komuna ndau miliona denarë për riparimin e gropave në Tetovë, ato u sanuan pa pastruar vendin ose prerë asfaltin gjatë procesit të riparimit. Kjo ishte një metodë e re që nuk ishte ndodhur më parë. Komuna u arsyetua duke thënë se kjo ishte një masë e përkohshme.
