Dyert e sallës “Boris Trajkovski” janë të mbyllura. Policia dhe Armata e sigurojnë pikën e vaksinimit, edhe pse për tre ditë qytetarët nuk do të mund të imunizohen kundër Covid-19. Për dallim nga ditët e tjera, sot nuk kishte kolona që prisnin për t’u vaksinuar.
“Pika e vaksinimit “Arena Boris Trajkovski” dje, sot dhe nesër do të jetë e mbyllur për vaksinim kundër Kovid 19, e kjo për shkak se autoritetet shëndetësore po presin doza të reja të vaksinave. Pika për vaksinim do të rihapet të hënën”, raporton gazetarja, Arbana Qerimi Klimenta.
Takuam një qytetar. Ai ka ardhur për të pyetur nëse ka vaksina “AstraZeneka”. Dozën e parë të kësaj vaksine e ka pranuar në Serbi, po nuk e di a do të mund të rivaksinohet të hënën në sallën “Boris Trajkovski”.
“Të kontrolloj nëse ka vaksina, dua të vaksinohem të hënën”, tha ky qytetar.
E derisa pikat e vaksinimi në vend janë të mbyllura, qytetarët shkojnë në Serbi për t’u vaksinuar. Një tifoz nga Maqedonia, derisa ishte duke u kthyer nga Bukureshti, ka shkuar të vaksinohet në Beograd.
“Unë këtu erdha direkt nga Bukureshti. Nuk ishte vështirë.
TV21: Por është më larg?!
-Po, e vërtetë është, është më larg dhe rruga është më e keqe, por megjithatë është mirë. Herën e parë kishte shumë turmë, tani është mirë. Edhe i biri i im u vaksinua në Vranjë javën e kaluar”, tha ky qytetar.
Sipas autoriteteve shëndetësore të Serbisë, deri më tani janë vaksinuar 22 mijë qytetarë të huaj, 15 mijë prej të cilëve nga Maqedonia.
“Sot, në këtë pikë do të vaksinohen 8 mijë qytetarë të huaj, nesër 5 mijë, kurse paralelisht me këtë vijon edhe vaksinimi me dozën e parë vetëm për qytetarët e Republikës së Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Zoran Bekiq – drejtor i pikës së vaksinimit “Panairi i Beogradit”.
Në vendkalimin kufitar “Tabanoc”, kishte kolona me dhjetëra makina, por për dallim nga qytetarët e Maqedonisë, serbët vetëm bënin transit për të shkuar në det në Greqi.
Ministri Filipçe, thotë se pas publikimit të ueb-faqes së re, të gjithë qytetarët që janë vaksinuar jashtë vendit, do të mund të rivaksinohen në Maqedoni.
“Secili qytetar që është vaksinuar në Serbi mund të vaksinohet. Të paraqitet te mjeku i tij amë që kjo e dhënë të regjistrohet në sistemin “Termini im” dhe më me siguri gjatë javës që vjen do të krijojmë faqe të re dhe në këtë mënyrë të gjithë të vaksinuarit do të paraqiten në sistemin “Termini im””, tha Filipçe.
Filipçe pranon se procesi i imunizimit po rrjedh me ritëm të ngadaltë, pasi nuk ka vaksina të mjaftueshme, por shton se dinamika do të ndryshojë në momentin kur do të mbërrijnë vaksinat “SinoVak” nga Kina dhe 100 mijë dozat “Fajzer” përmes sistemit Kovaks.
