Rruga Qafë Thanë-Elbasan do të bëhet me katër korsi, punimet nisin muajin tjetër

TË FUNDIT

Në nëntor do të nisin punimet për zgjerimin e aksit rrugor Elbasan -Qafë Thanë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur garën për ndërtimin e 5.3 kilometrave të para, punimet për të cilin do të nisin në Xibrakë deri në Mirakë.

Në një intervistë në media, kreu i ARRSH-së, Ervis Berberi shpjegoi se si do të jetë gjurma e këtij segmenti i cili do të kthehet në 4 korsi.

Berberi bëri të ditur se projekti për zgjerimin e kësaj rruge, parashikon ndërhyrje në rrugën ekzistuese, por edhe ndërtim segmentesh të reja në varësi të terrenit.

“Muaji nëntor është fillimi i punimeve për 5.3 km e para të këtij korridori. Aksi i parë Xibrakë-Mirakë do të jetë pjesërisht në gjurmë të reja dhe pjesërisht do të përdoret aksi i vjetër. Xibraka do të mbetet jashtë, duke përdorur mbikalim në nivel dhe një nyje dalëse dhe Miraka do të lidhet me aksin e ri”, u shpreh Berberi.

Paralelisht, ARRSH do të kryejë edhe një studim për ndërtimin e bajpasit në Elbasan me qëllim shmangien e qarkullimit në qytet.

Elbasan – Qafë-Thanë është segmenti kryesor që lidh juglindjen e vendit, dhe vitet e fundit ka njohur një rritje të ndjeshme të fluksit të qarkullimit.