Nisi takimi Kurti-Abdixhiku, në tavolinë emrat e kandidatëve për president

TË FUNDIT

Fillloi takimi i kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Takimi po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës.

Në takimin e sotëm Kurti-Abdixhiku  pritet të diskutohen veç e veç propozimet e të dy palëve për kandidatë për president, në kërkim të konsensusit për këtë post.

Përpara takimi, Kurti u shpreh se po i vazhdojnë diskutimet për president, por se do ta ruajnë konfidencialitetin deri të ketë marrëveshje.

“Po vazhdojmë diskutimet me vullnet të mirë, ashtu siç jemi marrë vesh, në mënyrë që vendimin bashkërisht ta sjellim për emrin e presidentit apo presidentes së re dhe të evitojmë zgjedhjet e reja të panevojshme. Padyshim që do të jemi të hapur karshi jush sa i përket procesit, por deri kur të kemi marrëveshje, duhet ta ruajmë konfidencialitetin. Unë gjithmonë pres më të mirën, prandaj edhe sot pres më të mirën“, është shprehur ai.

Ndërsa, përpara takimit me Kurtin, Abdixhiku ka heshtur, duke mos e thënë asnjë fjalë.

Sot, nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, tha se VV-ja tashmë i ka emrat për president konsensual, njëjtë siç ka bërë dje, deputeti i LDK-së, Ukë Rugova, i cili ka thënë se edhe LDK-ja i ka emrat.