Rruga Prizren-Tetovë/ Kosova nisi me punë, Maqedonia ende s’e ka ratifikuar në Kuvend

TË FUNDIT

Kosova dy javë më parë i nisi punimet në rrugën Prizren-Tetovë, ndërsa në Maqedonia ende nuk ka kaluar ratifikimi i marrëveshjes për shpalljen e tenderit. Kryetari i Tetovës, që vjen nga koalicioni qeverisës VLEN, Bilall Kasami, këtë e arsyeton me shkuarjen e deputetëve në pushim vjetor, gjersa shton se me këtë çështje do të merren sapo Kuvendi të rikthehet me punë.

“Kuvend ka qenë në pushim veror besoj nga momenti kur do të kthehen deputetët do të vazhdoj procedura e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend. Jeni të njoftuar që zëvendësministrja e Transportit Zekolli ka qenë në një vizitë në Kosovë me çka i kanë biseduar edhe detajet e fundit të vazhdimit të procedurës së tenderimit të tunelit”, tha Bilall Kasami.

I pyetur nëse Qeveria do të ndajë buxhet për rrugën Tetovë-Prizren, Kasami tha se buxhet do të parasheh komuna, ndërsa pret ndihmë edhe nga ndërmarrja publike “Rrugët shtetërore”.

“Njëherësh do të vazhdojmë si komunë e Tetovës në përkrahje të qeverisë të bëjmë pjesën tonë të investimit që ka të bëj nga shkëputja nga Kodra e Diellit deri në hyrje të tunelit”, tha Kasami.

-Do të ketë buxhet në vitin 2025 për këtë rrugë?

“Unë mund të garantoj që për një pjesë të kësaj rruge do të ndahet buxhet nga komuna e Tetovës, por në bashkëpunim edhe me ndërmarrjen shtetërore të shohim që ky buxhet të jetë edhe më serioz”, tha ai.

Rruga Tetovë-Prizren do të kushtojë 200 milionë euro. Gjysma e parave duhet të jepen nga Republika e Kosovës, ndërsa gjysma nga Republika e Maqedonisë së Veriut.

Më 14 gusht, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, informoi se nisi puna në rrugën Prizren-Tetovë, që siç shkroi, i lidh këto dy qytete historike të dy shteteve fqinje, me rëndësi të veçantë si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë.