Kjo është rruga që lidh fshatin Zhelinë me fshatin Pallaticë. Nga pamjet shihet se e njëjta është lënë pas dore dhe aty nuk është intervenuar me vite të tëra. Nga bashkësia lokale thonë se kanë marr premtime të shumta por, kanë kaluar vite e gjendja akoma është në këtë gjendje.
“Rruga besoj se e keni parë edhe vetë. 25 vite nuk është intervenuar në këtë rruga fare, sidomos këta pesë vitet e fundit është shkartuar e gjitha. Kemi pas premtime se do rregullohet dhe nuk është rregulluar rruga. Para pesë viteve kishim një mbledhje. Na u premtua se do behët pas një jave nuk u bë as meremetimi e asgjë. Edhe një vit më pas na u tha se do rregullohet, edhe sot e kësaj ditë nuk është bërë asgjë “, tha Beqir Veliu – kryetar i Bashkësisë Lokale Pallatic.
Ndërsa banorët që takuam thonë se premtime kanë marr shumë, sidomos para zgjedhjeve.
“Se di çka mendon kjo komunë, çka mendon ky popull, a vetëm me vjellë a, i shitën kodrat e Zhelinës e shitën Zhelinën ku shkuan ato pare një rrugë mos e ndërtojnë kjo është turp për ato.”
“Unë jam mërgimtar. Ka një vit që kam ardhur këtu, kam pas shpresa se do jetë më mirë këtu por shkon tu u dobësuar, rrugën vërtet e kemi në mjerim , na kanë premtuar ata të parët që ndejtën tetë vite, erdhën kurse më të mirë. Dy herë kemi qen tek kryetari tek Blerimi kemi kërkuar që të na rregullohet rruga. Na ka premtuar se do behët do fillohet por, fillimet nuk janë siç e shihni, do kaloni do xhironi rrugën, vërtet e kemi të mjerë.”
Nga komuna e Zhelinës në një përgjigje më shkrim na thanë se kanë fituar projekt për ndërtimin e kësaj rruge dhe se janë në përfundim të dokumentacionit për të filluar edhe me punimet.
“Dy nga pesë rrugët të cilët komuna e Zhelinës i ka fituar nga Banka Botërore përmes Ministrisë së Transportit, janë akset rrugore Zhelinë-Pallaticë dhe Pallaticë-Uzurmisht. Këto rrugë për Komunën e Zhelinës paraqesin ndër akset më të rëndësishme infrastrukturore rrugore. Komuna e Zhelinës ka kompletuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të gjitha këto rrugë, dhe është në pritje të konfirmimeve përfundimtare nga Ministria e Transportit dhe Banka Botërore për nisjen e punimeve”, thonë nga komuna e Zhelinës.
Fshati Pallaticë i komunës së Zhelinës ka rreth 5 mijë banorë, ndërsa shumica janë jashtë. Në këtë rrugë sipas banorëve nuk është intervenuar tash e 25 vite, ndërsa intervenimet e vetme janë të vetë banorëve.
