Pas çdo sezoni vjeshtor dhe dimëror, kjo rrugë magjistrale që kalon përmes Kërçovës shfaq dëmtime të shumta me gropa. Në periudhat me reshje, ky segment rrugor mbulohet nga uji, duke shkaktuar çarje në asfalt dhe duke përkeqësuar gjendjen e tij.
Megjithëse shpesh ndërmerren ndërhyrje të pjesshme për mbushjen e gropave, këto zgjidhje rezultojnë afatshkurtra, pasi dëmtimet rikthehen shpejt.
“Ndodhemi në rrugën magjistrale e cila kalon përmes Kërçovës, kjo rrugë magjistrale lidh shumë qytete të Maqedonisë së Veriut, megjithatë në këtë rrugë e cila është shumë e frekuentuar janë hapur disa gropa dhe kjo përbën rrezik për veturat të cilat lëvizin në këtë rrugë”, tha Salije Sadiku Pinjolli-gazetare e TV21.
Për mirëmbajtjen e rrugëve kujdeset Ndërmarrja publike për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e rrugëve magjistrale dhe regjionale. Për këtë situatë TV21 kontaktoi ndërmarrjen në fjalë nga ku na thanë se për këtë rrugë nuk është paraparë buxhetin për rikonstruim.
“Pjesa e magjistrales për të cilën po flisni nuk është e paraparë për rikonstruim për këtë vit, do të ngelet për vitin e ardhshëm sepse ka rrugë që janë më prioritet. Por ka një mundësi të rregullohet me rebalancin e buxhetit, duhet parë gjendja faktike pastaj vendoset”, tha NP për mirëmbajtjen e rrugëve.
Në gjendje të këtillë janë disa rrugë shtetërore të cilat kërkojnë mirëmbajte gati çdo vit, sepse në të kundërtën bëhen të rrezikshme për qarkullimin e automjeteve në trafik.