Rruga nga Kërçova, gjegjësisht nga fshati Izvor e deri në Dibër e gjatë 19 km ende nuk ka përfunduar, kjo pasi që gjatë punimeve kompania hasi në shembje të mëdha dheu. Traseja është hapur, një pjesë e madhe është asfaltuar por sërish ka shembje në disa pjesë të rrugës.
“Ndodhemi në rrugën regjionale Kërçovë-Dibër konkretisht nga fshati Izvor i Kërçovës e deri në Dibër. Kjo rrugë ka filluar të ndërtohet prej vitesh dhe siç mund të shihet, traseja është hapur një pjesë e madhe e kësaj rruge është asfaltuar, megjithatë edhe pse nuk ka mbaruar, banorët kanë filluar ta përdorin. Kujtojmë se rruga është e rrezikshme për shkak të shembjes së madhe të dheut në disa pjesë të rrugës”- Salije Sadiku-Pinjolli, gazetare.
Për tu përfunduar kjo rrugë dhe për të qenë funksionale, duhet të vendosen mure mbrojtëse.
Për këtë kompania ka kërkuar mjete shtesë nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore”, por nga atje ende nuk janë miratuar.
“Sa i përket rrugës Izvor–Gari, për momentin nuk ka asgjë të re. Ende nuk janë miratuar mjetet shtesë për muret mbajtëse nga ana e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. Jam i informuar se këto mjete pritet të sigurohen së shpejti, por nuk mund të them se sa shpejt do të ndodhë kjo”, tha Rade Trajkovski.
Për këtë kërkuam qëndrim edhe nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore, por nga atje ende nuk kemi një përgjigje.
