Rruga e Vizbegut vazhdon të ngulfatë trafikun! Nuk ka zgjidhje, ankohen bizneset dhe kalimtarët

TË FUNDIT

Zgjerimi i rrugës së Vizbegut prej vitesh mbetet vetëm fjalë. Bizneset e kësaj zone por edhe banorët hasin në pengesa të shumta në qarkullimin rrugorë. Kolona të gjata të trafikut shkaktojnë vonesa dhe nervozizëm tek kalimtarët. Kjo çështje akoma nuk ka një epilog as me qeverinë e re. Njëri nga sipërmarrësit në këtë zonë, Dragan Cvetkovski, i cili është edhe përfaqësues i bizneseve të zonës industriale në Vizbeg tha se kompanitë kanë humbje të mëdha duke u ballafaquar me pengesa bazike.

Ministri i Mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Izet Mexhiti njoftoi se është anuluar leja që i ishte dhënë kompanisë për vendosjen e një baze për prodhim të asfaltit. Sipas Mexhitit, kompanisë i është sugjeruar të gjejë lokacion tjetër.

Përveç problemeve infrastrukturore, edhe deponia ilegale në Vizbeg mbetet e pa pastruar pasi që nga kompani të ndryshme nga rrethina e Shkupit kanë hedhur mbetje inerte. Është vendosur dryni dhe një derë e improvizuar por kompanitë gjejnë mënyrën sërish të hedhin mbeturina. Edhe pse është ndaluar hyrja dhe gjoba është prej 50 euro, inspektorët kanë gjobitur kompani dhe individ të cilët i kanë kapur duke gjuajtur mbeturina. Por, akoma nuk ka një epilog për dislokimin e plotë të kësaj deponie.