Rrokulliset kamioni në rrugën Shkup-Bllacë. Nuk ka persona të lënduar

TË FUNDIT

Në ora 7 të mëngjesit ky kamion me targa të Shkupit u rrokullis në rrugën Shkup-Bllacë. Mësohet se kamioni ka ardhur nga Turqia dhe po shkonte në drejtim të Kosovës. Nga aksidenti nuk ka viktima, ndërsa edhe shoferi, i cili kishte humbur kontrollin e automjetit, ka shpëtuar pa lëndime.

“Ky kamion është rrokullisur rreth orës 7 të mëngjesit në rrugën Shkup-Bllacë. Sipas asaj që na treguan udhëtarët, të cilët ishin prezent këtu, aksidenti nuk ka ndodhur me përplasje të ndonjë makinë tjetër, por vetvetiu është rrokullisur. Sa i përket shoferit atë kanë ardhur ta marrin familjarët e tyre dhe nuk është në gjendje të rëndë shëndetësore”, raporton gazetarja Fazile Halili.

Si pasojë, komunikacioni ishte bllokuar në të dyja drejtimet dhe u krijuan kolona të gjata. Pasi kamioni ishte i mbushur me mall plastike prej 25 ton, duhej kohë që së pari të shkarkohet dhe më pas të nis largimi i tij nga rruga.

“Më datë 09.03.2024 në ora 06:50 në rrugën kryesore Shkup – vendkalimi kufitar Bllacë, ka ndodhur një aksident trafiku ku kamioni ka humbur kontrollin dhe është përmbysur në rrugë, duke i zënë të dy shiritat, ndërkaq nuk ka të lënduar. Policia është njoftuar dhe komunikacioni do të jetë i ndërprerë në të dy drejtimet. Mallrat nga kamioni me rreth 25 tonë plastikë PVC janë duke u shkarkuar në vendngjarje ku të pranishëm janë shërbimi aktual dhe doganor”, thonë nga MPB.

E për shkak të bllokimit të rrugës, udhëtarët ia mësynë rrugës së fshatit Bllacë, si alternativë për të lëvizur.