Në mënyrë rapide po rritet numri i të infektuarve me virusin Corona, e së fundmi edhe me variantin e ri Britanik, i cili po shpërndahet edhe më shpejt.
Kavadari, Prilepi dhe Ohri janë zonat më të rrezikuara menjëherë pas Shkupit.
Vetëm dje janë regjistruar 721 raste të reja me Kovid-19 nga 3.816 teste. Por a po mendon Ministria e Shëndetësisë për masa shtesë mbrojtëse nga ky virus? Udhëheqësi i këtij dikasteri, Venko Filipçe thotë se nuk përjashtohet mundësia, por tha se aktualisht nuk parashihet shtrëngim masash.
“Nuk përjashtohet mundësia, por tani për tani jo. Nuk ka indikacione të tilla për shkak se rritja nuk është e të njejtës formë sikurse ishte në muajin nëntor. Ka një rritje të butë, e cila nuk është e rrezikshme për kapacitetet spitalore, por kjo është arsye që qytetarët të jenë më të vëmendshëm”, deklaroi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge theksoi se skenarët më të këqinj tani kanë mbaruar, duke vlerësuar se në fillim të vitit 2022 pandemia mund të përfundojë, por virusi do të jetë ende prezent. Sipas Kluges, Europës nuk i nevojiten masa shtesë preventive.
“Do të vazhdojë të ketë një virus, por nuk mendoj se do të nevojiten kufizime. Mutacionet janë normale dhe virusi po përpiqet t’i përshtatet personit të infektuar, por përhapja e shpejtë e mutacioneve është shqetësuese. Mutacionet nuk do ta bëjnë virusin jashtë kontrollit por në vendet ku sistemet e kujdesit shëndetësor, tashmë janë nën presion, mund të vihen nën trysni edhe më të madhe, gjë që e bën të nevojshme marrjen e mutacioneve shumë seriozisht”, theksoi Hans Kluge – Drejtor Rajonal i OBSH-së për Evropën.
Gjithsej 667 pacientë pozitivë dhe të dyshimtë me koronavirus po mjekohen në spitalet e shtetit dhe ka rreth 384 shtretër të zbrazët, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë. E përderisa numrat e të infektuarve në bazë ditore po rriten, Maqedonia e Veriut pa një datë konkrete, ende po i pret vaksinat anti-Covid, nga kompanitë me të cilat ka nënshkruar marrëveshje. Ministri Filipçe apeloi te të moshuarit që të paraqiten për të caktuar termin për vaksinim, ndonëse vaksina ende nuk ka.
