Shtohet numri i vjedhjeve në Strugë.
Dita ditës ky fenomen bëhet edhe më i dukshëm në këtë komunë.
Hajnat në shënjestër kanë shtëpi, banesa e objekte biznesi.
Janë grabitur edhe zyrat e objektit komunal në këtë qytet, ndërsa nuk kursehen as objektet fetare, si kisha dhe xhami.
https://www.youtube.com/watch?v=BZ38zA1NmYk
Më shpesh, hajdutët marrin para, bizhuteri, kompjuterë, laptopë dhe sende të tjera me vlerë.
Aktivistët qytetarë besojnë se shtimi i vjedhjeve vjen si pasojë e mbylljes së ndriçimit publik në qytet dhe rrethinë.
“Ju jeni edhe vetë dëshmitarë se këto kufizime për ndriçimin publik kanë sjellë edhe rritjen e nivelit të kriminalitetit në vetë komunë. Kemi qenë dëshmitarë të disa vjedhjeve të kryera në periudhën e kaluar, përfshirë edhe ato të vetë komunës së Strugës”- Gligor Qato- Aktivist nga Struga.
SPB Ohër thotë se pas rritjes së numrit të vjedhjeve është rritur edhe hetimi për zbardhjen e këtyre krimeve.
“Është rritur edhe funksioni hetimor i policisë, kështu që në periudhën e kaluar nga ana e Policisë së Strugës janë ngritur gjithsej 73 kallëzime penale për veprat penale të vjedhjes dhe vjedhjes së rëndë të kryera në zonën e Strugës. Është domethënëse që autorët të gjenden dhe të sillen para organeve të drejtësisë”- tha Stefan Dimovski- Zëdhënës i SPB-së Ohrit.
Vitin e kaluar në Strugë kanë ndodhur 89 vjedhje të rënda dhe 62 vjedhje të lehta. Këtë vit deri në tetor janë regjistruar 113 vepra penale vjedhje e rëndë dhe 63 vepra vjedhje të lehta.
