Ka shkuar në 190 numri i fëmijëve tek të cilët është zbuluar virusi i hepatitit me shkaktar të panjohur, i cili u shfaq në Britani dhe u has në 12 vende brenda një kohe të shkurtër.
Drejtoresha e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), në një konferencë për media informoi rreth rasteve të hepatitit që është në rritje në javët e fundit.
Duke bërë të ditur se ka shkuar në 190 numri i fëmijëve tek të cilët është zbuluar virusi i hepatitit me shkaktar të panjohur, ajo tha se 140 prej tyre janë në vendet evropiane.
Sipas saj, rastet nuk janë të lidhura me njëri-tjetrin, prandaj tërheq vëmendjen se rritja e rasteve nuk është shkaktuar nga udhëtimi ndërkombëtar.
Ammon gjithashtu njoftoi se ende nuk është qartësuar lidhja e rasteve të hepatitit me COVID-19 ose adenovirus, duke theksuar ECDC më 28 prill do të njoftojë një raport vlerësimi të rrezikut.
Fillimisht virusi hepatit u zbulua në Britani më 5 dhe 8 prill, ndërsa nga 21 prilli është shpërndarë në 11 vende. Së fundmi sot u zbulua edhe tek një fëmijë në Japoni.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në një njoftim më 16 prill, kishte njoftuar se 74 fëmijë në Britani janë diagnostikuar me virusin e hepatitit misterioz. Ndërkohë, në deklaratën e djeshme, u bë e ditur se virusi është shpërndarë në 11 vende dhe janë të paktën 169 raste.
Tek fëmijë të diagnostikuar me virusin në një muaj të fundit janë hasur simptoma të tilla si verdhëza, diarre, të vjella dhe dhimbje barku, ndërsa 17 fëmijë kanë pësuar inflamacion të rëndë të mëlçisë të cilët janë trajtuar me transplant të mëlçisë.
Përshkrimi i sëmundjes si “misterioz” ose “me shkaktar të panjohur” solli në mendje virusin COVID-19, ndërsa solli në rend dite mundësinë e një “pandemie të re globale”.
COVID-19 para se të emërtohej, ishte përshkruar si “një sëmundje misterioze e mushkërive”.
