RRITET ÇMIMI I BILETAVE NË KOPSHTIN ZOOLOGJIK, NË QERSHOR VIJNË 4 SHIMPANZE

TË FUNDIT

Çmimi i biletave në Kopshtin zoologjik është rritur. Çmimi i ri prej 80 denarëve do të hyjë në fuqi pasi Qyteti i Shkupit ta shpall vendimin publikisht. E qytetarët ndajnë mendime të ndryshme për çmimet e reja, por shumica thonë se ia vlen për një vizitë të këtillë.

“80 denarë nuk është edhe aq lirë, 50 denarë mendoj se është çmim normal. Megjithatë duhet mbajtur llogari edhe për kafshët”, tha një qytetar.

“Unë mendoj se ia vlejnë, sepse aq i madh është kujdesi për kafshët dhe fëmijët i duan aq shumë.Duhet të jepen edhe më shumë mjete që tu krijohen kushte më të mira”, tha një qytetare.

“Mendoj se nuk është. Kjo vizitë nuk është e përditshme, mendoj se nuk është e shtrenjtë”, tha një qytetar tjetër.

Tina Mickovska, zëdhënësja e Kopshtit zoologjik, thotë se biletat do të bëhen 80 denarë, por për vizita të organizuara në grupe do të ngelen nga 50 denarë. Duke bërë krahasime me kinemanë dhe lojërat e fëmijëve, Mickovska thotë se ky çmim është tejet i ulët.

“Tashme shumë vjet janë 50 denarë dhe e dimë të gjithë sa shumë e vogël është kjo. E dimë sa kushton të shkojmë në kinema, në teatër, të luhatemi në rrotulluese, e këtu bileta 50 den. E tash do të bëhet 80 den dhe unë besoj se nuk është ndonjë shtrenjtim i madh, sepse me të vërtetë kemi shumë gjëra për t’i mirëmbajtur, shumë renovime të vendbanimeve për të bërë, kafshë të reja, për shembull elefantët hanë sa i gjithë “Kopshti zoologjik”, theksoi Tina Mickovska, zëdhënëse e “Kopshtit Zoologjik”.

Ajo thotë se gjithë sytë janë kah kopshti i Shkupit, sepse vazhdimisht lindin kafshë që janë endemike të rrezikuara. Atraksion i fundit janë gibonët, të cilët kanë qenë në qendër të vëmendjes së mediave të huaja këto ditë. Së fundmi janë sjell zebrat dhe shtazë të vogla, siç janë derrat e vegjël dhe papagajtë ekzotik, ndërsa pritet të sillen flamingo, shimpanza dhe pinguinë.

“Hapësira prapanesh po rregullohet dhe po akomodohet për t’iu përshtatur banorëve më të rinj të kopshtit zoologjik, e ato janë shimpanzat. Katër shimpanze pritet që të sillen nga Holanda në qershor të këtij viti”, Almedina Ismajli, gazetare.

Kur është moti i mirë, numri i vizitorëve arrin deri në 18 mijë në javë. Në Kopshtin zoologjik të Shkupit ka mbi 90 lloje të kafshëve. Mickovska thotë se shpesh janë detyruar të nxjerrin jashtë persona që kanë hedhur ushqim kafshëve dhe i kanë shqetësuar. Për këtë arsye nëpër hapësirën e kopshtit zoologjik pritet që të vendosen edhe tabela edukative në tre gjuhë, për të mësuar se si vizitorët të sillen ndaj kafshëve të caktuara.

Përgatiti: Almedina Ismajli