Në rrjetet sociale po qarkullojnë pamje që pretendohet se tregojnë rrëzimin e një avioni luftarak amerikan F-15 në Kuvajt. Irani ka deklaruar se forcat e tij e kanë rrëzuar avionin.
Piloti i F-15 ka mbijetuar pasi është katapultuar me sukses, ndërsa pas uljes për të janë kujdesur banorë vendas.
Deri tani nuk ka reagim zyrtar nga Shtetet e Bashkuara.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm ditët e fundit, ndërsa hapësira ajrore mbi disa vende të rajonit është pothuajse plotësisht e militarizuar. Kuvajti është një aleat i kahershëm i SHBA-së dhe një nga pikat kyçe logjistike për ushtrinë amerikane në Gjirin Persik.
Në këtë vend ndodhen baza të rëndësishme amerikane dhe depo të mëdha pajisjesh, ndërsa hapësira ajrore e Kuvajtit përdoret shpesh nga avionët ushtarakë amerikanë dhe aleatët gjatë operacioneve në Irak, Siri dhe më gjerë.
F-15 është një avion luftarak shumëqëllimësh amerikan i gjeneratës së katërt, i zhvilluar në vitet ’70, por që mbetet një nga shtyllat kryesore të forcave ajrore amerikane. Ai njihet për aftësitë e jashtëzakonshme për dominim ajror, shpejtësinë e madhe (mbi 2.5 Mach) dhe armatimin e fuqishëm që përfshin raketa ajër-ajër dhe bomba me drejtim preciz.
Versione të ndryshme të F-15 përdoren edhe nga shumë aleatë të SHBA-së, përfshirë vendet e Gjirit Persik.
