As 15 orë nuk u mjaftuan liderëve të 4 partive politike për të arritur marrëveshje rreth përbërjes së re të qeverisë, si dhe për disa çështje tjera të hapura, por problemi kryesor që ka penguar procesin negociues është përsëri ligji për ‘bombat@.
Pohimet e liderit të BDI-së , Ali Ahmetit dhe zëdhënësit të VMRO DPMNE-së Ilija Dimovskit, se për shumë çështje të hapura palët i kanë afruar qëndrimet, i demantoi lideri i LSDM-së, Zoran Zaevi, i cili tha se nuk e kupton se si mundet partia në pushtet të harxhojë 9 prej 15 orëve bisedime në ligjin për bombat.
Më i zhgënjyer nga ky takim doli evrokomisari, Johanes Han, i cili kërkoi nga partitë ta kuptojnë seriozitetin e situatës. “Fatkeqësisht nuk kemi marrëveshje , jam shumë i zhgënjyer që nuk kemi arritur marrëveshje rreth riorganizimit të qeverisë sipas marrëveshjes së qershorit dhe korrikut. Ata kishin disa javë për ti pregaditur gjërat , por siç shihet ajo nuk ishte e mundur, por ekzistojnë ende mundësi për tu marrë veshë , shpresoj që partitë politike ta kenë kuptuar seriozitetin e situatës”, tha Han pas takimit të mbrëmshëm.
Edhe ambasadori amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli, nëpërmjet llogarisë së tij në “Twitter”, shprehu brengosjen e tij rreth bisedimeve. “Jam shumë i brengosur për pamundësinë e liderëve për të arritur marrëveshje. Marrëveshjet e Përzhinos janë garanci për të siguruar llogaridhënie , për të siguruar kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike, dhe t’i japë fund krizës politike në Maqedoni”, është shprehur Bejli në këtë rrjet shoqëror.
Grupet e punës të katër partive politike janë në takim edhe sot në Klubin e Deputetëve, në tentimin e radhës për të arritur marrëveshje rreth çështjeve të hapura.
