Rrezikohen 5 mijë vepra arti nga mbyllja e Galerisë së Arteve në Shqipëri

TË FUNDIT

Galeria Kombëtare e Arteve prej vitesh është përballur me mungesën e dezinfektimit. Dezinfektimi i fundit ka më shumë se katër vite që është bërë dhe më tej nuk ka pasur fonde për të, duke sjellë shumë probleme për institucionin më të rëndësishëm të artit pamor në vend.

Galeria Kombëtare e Arteve nis sot procesin e dezinfektimit, i cili do të përfshijë të gjitha mjediset e saj, por me shumë rëndësi ky proces është parë për rrezikun e rreth 5 mijë veprave të artit që ruhen në fond. Alarmi për rrezikun e veprave të fondit të GKA, cilësuar si pasuri kombëtare, është dhënë prej kohësh nga institucioni, duke kërkuar dhe vëmendjen nga Ministria e Kulturës. Kërkesa e GKA për buxhet dhe rreziku i veprave të fondit nuk pati vëmendje nga MK, proces që do të kryhet nga një donator privat. Është hera e parë që GKA mbyllet gjatë kësaj periudhe, por siç njofton vetë institucioni procesi do të zhvillohet për disa ditë dhe konsiderohet shumë i rëndësishëm për vetë institucionin dhe pasurinë e veprave të artit, që ruan në fond dhe rrezikohen nga insektet. “Galeria Kombëtare e Arteve do t’i nënshtrohet dezinfektimit më datë 28 Gusht 2015. Ky proces, i pari i këtij niveli, do të përfshijë të gjitha mjediset, sallat, dhe hapësirat e saj dhe konsiderohet më se i domosdoshëm për institucionin në këto momente”, thuhet në njoftimin zyrtar të GKA.