Rreth 4000 fëmijë do të mbeten pa pediatër? Agolli: Ministria duhet të na lusë që të qëndrojmë në punë

TË FUNDIT

Rreth 100 mjekë privatë duhet të dalin në pension deri në fund të vitit. Kjo do të nënkuptonte mbylljen e afërsisht 100 objekteve shëndetësore private, klinika të vogla. Njëra prej tyre ndodhet në Dibër. Pediatri Arben Agolli sqaron se kolegu i tij tashmë i plotëson kushtet ligjore për pension. Ai duhet të pensionohet vitin e ardhshëm. Të dy janë të vetmit në qytet që ofrojnë shërbime shëndetësore ekskluzivisht për fëmijët.

“Ne mbulojmë 4000 fëmijë. Nuk ka asnjë koleg të ri në specializim për pediatri. Për t’u referuar u duhen 5 vjet për të nis punën, mbetet dilemë çfarë do të ndodhë më pas me ata 4000 fëmijë të mbuluar nga ne të dy?”, tha Dr. Arben Agolli, pediatër.

Kuvendi nuk i pranoi ndryshimet në ligjin për marrëdhëniet e punës. Kështu edhe mjekët në moshën 64 vjeçare duhet të dalin në pension. Kryetari i Shoqatës së Mjekëve Privatë ka zhvilluar një takim me ministrin Bekim Sali.

“Apeli ynë për autoritetet shëndetësore ishte që ata që duan të vazhdojnë, sepse kanë punësuar staf të ri, të mos qëndrojnë në rrugë, të vazhdojnë punën. Ata që duan të dalin në pension, ata pacientë do të kërkojnë mjekë të rinj familjarë. Ministri iu përgjigj pozitivisht kërkesave tona dhe tha se të gjithë mjekët që duan të vazhdojnë, duhet t’i bëjnë kërkesë atij si ministër i Shëndetësisë dhe se do të miratohen të gjithë ata që duan të vazhdojnë”, tha Liljana Çollakova-Dervishova, Shoqata e Mjekëve Aml Privat.

“Është krijuar një situatë shumë interesante dhe nëse jemi ne ata që dëshirojmë të dalim në pension për shkak të plotësimit të kushteve, tani Ministria duhet të na lutet që të vazhdojmë punën, sepse Dibra do të vihet në një situatë të pakëndshme”, shtoi Agolli.

Mjeku Agolli shton se jo vetëm në fushën e pediatrisë, por edhe në fusha të tjera, Spitali i Përgjithshëm në Dibër do të jetë pa gjashtë specialistë.