Rreth 40 minuta mëngjesin e sotëm mjekët amë nuk kanë mundur të shkruajnë barëra me receta për pacientët e tyre për shkak se sistemi ka qenë jashtë funksionit. Kjo bëri që Kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Privatë, Lilija Çollakova të reagojë ndërsa për TV21 thotë se ka muaj që portali elektronik i Fondit Shëndetësor nuk po punon si duhet, është i ngadalshëm e shumë shpesh edhe tërësisht jashtë funksionit.
“Shumë herë kemi reaguar se portali duhet të punojë pa pengesa sepse shëndetësia duhet të ketë kontinuitet. Ne jemi në vendet tona të punës dhe cili është qëllimi që ne të rrimë dhe të mos mund lëshojmë receta apo udhëzime. Ose Termini im ka pengesa ose portali nuk punon dhe kjo ndodh shumë shpesh dhe në këto temperatura të larta me të vërtetë është nervozë për të gjithë, edhe për pacientët edhe për mjekët. I lusim që nëse ka mundësi të gjitha rregullimet apo ndryshime që i bëjnë t’i bëjnë jashtë orarit të punës, do të thotë në orët e vona apo gjatë fundjavës”, pohoi Lilija Çollakova.
Për pengesat e sistemeve online në të cilat hasin mjekët amë TV21 pyeti në Fondin Shëndetësor nga ku shkurt na u përgjigjen se:
“Sot, gjatë një kontrolli rutinë, mirëmbajtësit e programit zbuluan se gjatë sinkronizimit të të dhënave tona me të dhënat nga Termi im, një skedar ishte i paplotë. Problemi teknik u zgjodh menjëherë dhe sistemi u vu në funksion për 30 minuta”, thonë nga Fondi Shëndetësor.
Kujtojmë se, disa muaj më parë sistemi i Fondit Shëndetësor ishte jashtë funksionit për shkak të sulmit kibernetik si pasojë e së cilit nuk mund të paguheshin pushimet mjekësore, të lindjes si dhe pagat e punonjësve shëndetësorë.
