Po shpejtojnë për ta kapur autobusin.
Maskat i kanë vënë, por distancën nuk po mund ta mbajnë. Kjo është tollovia që shkaktohet nëpër disa autobusë urban. Edhe pse kreu i Shkupit Petre Shilegov thotë se furgonët dhe autobusët që qarkullojnë në sistemin e transportit publik, lejohet që të mbushen vetëm deri në 75 %, pamjet tregojnë se ulëset janë zënë dhe ka udhëtar që rrinë edhe në këmbë. Më të moshuarit druajnë se kështu mund të infektohen me Covid-19. E kanë të patjetërsueshme të dalin për nevojat e tyre, por thonë se ka pak autobusë në qarkullim.
“Duhet të lëshohen më shumë autobusë. Autobusët rrinë aty e nuk i lëshojnë. Kanë shpenzime për atë nuk i lëshojnë. Kam frikë si jo, frikësohem. Unë kam ndenjur në shtëpi 40 ditë atëherë kur nisi në muajin mars, askund nuk kam dal”, tha një qytetar.
“Po frikësohemi, si nuk frikësohemi. Ka shumë tollovi, autobusët shkojnë radhë, duhet të lëshohen më shumë linja”, u shpreh një qytetare.
“Tani jo shumë. Para 5 ditësh, para një jave kishte shumë tollovi, pak autobusë ishin të lëshuar nga NQP. Tani është rregulluar, por ka probleme me rrugët, nuk rregullohen gjatë ditës, por duhet tani”, tha një tjetër qytetar.
Gjendja nëpër autobusët publik po vazhdon tashmë disa ditë të jetë kështu, ndërsa nga ana tjetër
diskutohet numri i mysafirëve në shtëpi.
“Përveç uljes së numrit të udhëtarëve në transportin publik, është edhe kufizimi i punës në disa subjekte ekonomike, ndërmarrje dhe objekte hotelierike. Por shpresoj se nuk do të arrijmë deri aty, sepse pakoja e dytë e masave restriktive do të japë efekt edhe aty”, deklaroi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Nga ndërmarrja për qarkullim publik thonë se itinerari aktual i plotëson kërkesat e shfrytëzuesve të transportit publik.
“Që para një jave është shtuar numri i autobusëve që qarkullojnë në mëngjes dhe pasdite, atëherë kur ka më shumë udhëtarë.
Ndryshimet në itinerar janë bërë që të shmanget rrëmuja, që paraqitet në disa linja. Kjo si pasojë e shfuqizimit të masave për kthimin nëpër vende të punës të disa kategorive të qytetarëve, me çka është rritur edhe numri i udhëtarëve. Ky itinerar i plotëson nevojat e shfrytëzuesve.
Personat që kontrollojnë biletat, i kontrollojnë udhëtarët edhe a kanë vendosur maska, por ne nuk kemi kompetenca qe t’i dënojmë”, thonë nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik.
Autobusët kanë riorganizuar edhe hyrjet dhe daljet e udhëtarëve. Por ka autobusë që këtë e bëjnë nga e njëjta derë, pasi kane mbyllur dyert e përparme, që shoferi të jetë i izoluar nga udhëtarët.
