Mungesa e parkingjeve, parkimet e veturave vend e pa vend, si dhe mospasja e rrugëve adekuate çdo ditë shkaktojnë rrëmujë komunikacioni në qytetin e Tetovës. Për të parë se sa kohë të duhet nga një pikë deri në një pikë tjetër përmes qytetit, Televizioni 21 bëri një xhiro me makinë.
Nga Universiteti i Evropës Juglindore e deri tek monopoli përmes dy bulevardeve kryesore Ilindeni dhe Iliria, me veturë arritëm që t’i kalojmë për 38 minuta dhe nëse e bëjmë një krahasim me gjatësinë e këtyre dy bulevardeve dhe kohën, shpejtësia mesatare në këto rrugë kryesore mund të vozitet vetëm me 5.5 kilometra në orë.
Vetëm gjatë muajit dhjetor policia ka sanksionuar 1205 shoferë, ndërsa karrotreci ka marr 174 vetura për parkim joadekuat.
“Stacioni Policor për Sigurinë e Qarkullimit Rrugor, në Tetovë dhe rajonin e Tetovës në muajin dhjetor ka zbuluar dhe sanksionuar ligjërisht 1205 lloje të ndryshme të parregullsive, përkatësisht shkeljeve të trafikut. Gjatë kësaj periudhe, përkohësisht janë konfuskuar30 patenta shoferi dhe 34 leje qarkullimi të trafikut, ndërsa shërbimi komunal i merimangë ka marrë gjithsej 174 vetura të parkuara në mënyrë të paligjshme”, thonë nga SPB-Tetovë.
Komuna e Tetovës ka vite që premton hapjen e bulevardeve të reja, por deri tani është hapur vetëm një pjesë e bulevardit Industrial.
Gjithashtu në këtë komunë janë premtuar edhe parkingje nëntokësore por asnjë i tillë nuk është realizuar.
